​Kurti takon Davenport, diskutojnë për respektimin e të drejtave të pakicave

Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, u takua sot me Shefin e misionit të OSBE-së në Kosovë, ambasadorin Michael Davenport.
Në takim u diskutua për zhvillimin e fundit në vend dhe për veprimet e fundit të Qeverisë në fushën e mbrojtjes dhe respektimit të drejtave të pakicave. Ambasadori Davenport u shpreh i kënaqur me dakordimin e arritur mbi udhërrëfyesin për zbatimin e marrëveshjes për energji. I kënaqur u shpreh edhe me procedimin e programit të Ballkanistikës në Universitetin e Prishtinë.  Ai po ashtu falënderoi kryeministrin për video-adresimet e tij të fundit në gjuhën serbe.
Respektimi i të drejtave të njeriut, sundimi i ligjit dhe barazia e qytetarëve janë vlera dhe prioritete të qeverisë, tha kryeministri Kurti. Ai po ashtu foli për synimin e qeverisë që rritja ekonomike të jetë e qëndrueshme dhe e barabartë, nga e cila të gjithë përfitojnë sepse të gjithë kanë kontribuar.
Kurti dhe ambasadori Davenport folën edhe për qendrat mësimore të dedikuara për pakicat si mekanizma të rëndësishme në uljen e numrit të fëmijëve rom, ashkalinj dhe egjiptian që braktisin shkollën dhe që mundësojnë integrimin e mëtejmë të tyre në sistemin arsimor. Duke vendosur theksin te nevoja për mbështetje për këto qendra, kryeministri tha se integrimi bëhet më i mundshëm atëherë kur qytetarët e Republikës së Kosovës mësojnë dhe punojnë së bashku. ​/21Media

Back to top button