​Nga nesër universitetet publike në grevë, kërkohet shkarkimi i ministrit

Edhe universitetet në grevë!

Rektorët e universiteteve publike pas mbledhjes që patën sonte kanë njoftuar se prej nesër gjitha universitetet publike do të fillojnë grevë të përgjithshme dhe protesta do të vazhdojë deri në plotësimin e kërkesave të tyre.

Zëvendës-kryesuesi i kësaj konference, Fadil Millaku ka thënë se ky vendim ka ardhur për shkak të veprimeve të fundit të Agjencisë Kosovare për Akredim për mbylljen e programeve.

Millaku ka kërkuar nga organet kompetente që të shkarkohet ministri i arsimit, Shiqyri Bytyqi të gjithë anëtarët e AKA-së dhe të shfuqizohet vendimi i tyre.

Ai po ashtu, ka njoftuar se do të ndërpriten gjitha kontaktet me ministrin aktual. Ndërsa, ka kërkuar takim me krerët e institucioneve për zgjidhje të kësaj situate.

Rektorët e universiteteve publike më 24 janar i janë drejtuar deputetëve të Komisionit për Arsim, ku kanë shprehur shqetësimin e tyre lidhur me vendimin e Këshillit Shtetëror të Cilësisë për mbylljen e 40 për qind të programeve në këto universitete. Ata kanë deklaruar se vendimin në fjalë e konsiderojnë jo-ligjor. Andaj, kanë kërkuar që deri më 28 janar të shkarkohet Këshilli, në të kundërtën do të vazhdojnë me greva dhe protesta./21Media

Back to top button