​Nis edicioni i 40-të i seminarit të Gjuhës Shqipe

Sot u bë hapja solemne e punimeve të Seminarit XL Ndërkombëtar për Gjuhën, Letërsinë dhe Kulturën Shqiptare.
Në hapjen solemne të seminarit të pranishëm ishin edhe, Arbërie Nagavci, Ministre e Arsimit, Shkencës, Teknologjisë dhe Inovacionit, Hajrulla Çeku, Ministër i Kulturës, Rinisë dhe Sportit, Nicholas Abbott, Amabasador i Britanisë së Madhe në Kosovë, Naser Sahiti, Rektor i Universitetit të Prishtinës, Bernard Dosti, Zv. Rektor i Universitetit të Tiranës, Lindita Rugova, Dekane e Fakultetit të Filologjisë; Shkumbin Munishi, Drejtor i Seminarit; Dhurata Shehri, bashkëdrejtore e Seminarit, akademikë, profesorë dhe seminaristë.
Në mungesë të Kryeministrit Albin Kurti, fjalimin e tij e lexoi ministrja e MASHTI-t, Arbërie Nagavci. Mes tjerash, ajo potencoi: “Gjuha është forma e kombit që e marrin kudo me vete. Ndjenjën e lartën të përgjegjësisë duhet ta kemi të gjithë. Duhet ta bëjmë gjuhën të zotërueshme nga të gjithë bashkëkombësit tanë kudo që janë”.
Ndërsa, Ambasadori i Britanisë së Madhe në Kosovë, Nicholas Abbott, theksoi se gjuha shqipe është e veçantë dhe një ndër gjuhët e rralla indoevropiane.
Në një fjalë rasti, Rektori i Universitetit të Prishtinës, Naser Sahiti, vlerësoi rëndësinë historike të Seminarit, si dhe i përgëzoi organizatorët dhe  bashkëpunëtorët për qëndrueshmërinë e treguar dhe për vazhdueshmërinë e kësaj ngjarjeje të rëndësishme kombëtare.
Zv. Rektori i Universitetit të Tiranës, Bernard Dosti, tha se Seminari i Prishtinës ka një rëndësi sa të veçantë, aq edhe kuptimplotë. Në Seminar bashkohen arbreshët, arvanitët dhe shqiptarë e albanologë nga e gjithë bota.
Kurse,  dekania e Fakultetit të Filologjisë, Lindita Rugova, theksoi se vlera e seminarit është e madhe.
“Ky seminar është i madh jo vetëm nga numri i studentëve që marrin pjesë, por edhe nga rëndësia dhe tematikat që do të shtjellohen. Misioni i seminarit është afirmimi i shqipes kudo në botë”.
Në fjalimin e saj, bashkëdrejtorja e Seminarit, Dhurata Shehri, ndër të tjera, theksoi se këtë seminar e mbajti gjallë sidomos këmbëngulja për të njohur veten dhe për t’ua zbuluar atë të tjerëve.
Së fundi, Drejtori i Seminarit, Shkumbin Munishi, tha se interesimi i madh është tregues se seminari nuk e ka humbur as cilësinë, as rëndësinë. Gjithashtu ai theksoi se pas pandemisë ky edicion po kthehet në normalitet duke qenë se numri i pjesëmarrësve ka kaluar mbi 100.
Në këtë edicion jubilar të Seminarit u ndanë mirënjohje për të gjithë ish-drejtorët dhe bashkëdrejtorët e këtij seminari, të cilët më punën e tyre e bënë të mundur që Seminari të jetë kaq jetëgjatë.
Edicioni i sivjetmë  i festivalit që filloi sot do të përfundojë me 26 gusht./21Media

Back to top button