​PDK akuzon Qeverinë Kurti për largimin e “Contour Global” nga Kosova

“Qeveria Kurti i dha goditjen e radhës SHBA-së”

Partia Demokratike e Kosovës vendimin e kompanisë amerikane “Contour Global” për t’u larguar përfundimisht nga Kosova si dhe heqjen dorë nga ndërtimi i termocentralit “Kosova e Re”, e konsideron humbje të madhe.

Përmes një komunikate për media, PDK konsideron se kjo është një goditje e madhe për ekonominë, fuqinë e ardhshme energjetike të Kosovës dhe marrëdhëniet me Shtetet e Bashkuara të Amerikës, të cilat sot janë në stadin më të keq të tyre, thuhet në komunikatë.

Sipas PDK-së, sjellja e Qeverisë Kurti, në raport me njërin prej investimeve më të mëdha amerikane në Kosovë është e papranueshme dhe tregon që në javët e para për drejtimin e mbrapshtë që ka marrë.

PDK përmes kësaj komuniakte përkujton se fillimisht u refuzua kërkesa e Qeverisë amerikane për heqjen e taksës me gjithë vendosjen e bllokadës për fondet amerikane dhe paralajmërimet për largimin e trupave amerikane.

“Ky kryeministër dhe kjo qeveri VV – LDK, po deklarohet publikisht kundër investimeve dhe interesave amerikane në vendin tonë. Mungesa e vullnetit politik për ta shtyrë përpara këtë projekt të madh investimi, flet edhe për mungesën e vizionit të qeverisë së tanishme për të përkrahur investimet e huaja në Kosovë”, thuhet më në komunikatë.

Kompania amerikane “Contour Global” kishte planifikuar të investonte 1.3 miliard për ndërtimin e termocentralit të ri gjatë pesë vjetëve të ardhshme, si dhe do të hapeshin mijëra vende pune dhe shumë angazhim për kompani lokale kosovare.

Back to top button