​PDK i vlerëson të mangëta masat ekonomike të Qeverisë, jep disa rekomandime

PDK ka propozuar pesë masa

Pas rrëzimit me 82 vota në Kuvend, Qeveria në ikje e Republikës së Kosovës, prezantoi një pako të masave emergjente për të trajtuar problemet ekonomike të shkaktuara nga pandemia e koronavirusit. Mirëpo këto masa, sipas Partisë Demokratike të Kosovës, edhe pse të nevojshme, në këto rrethana kanë ardhur shumë vonë.

Zëdhënësi i kësaj partie, Avni Bytyçi në një konferencë për media tha se këta hapa do të duhej të ndërrmerreshin shumë më herët, për të minimizuar dëmet e pandemisë ndaj ekonomisë së Kosovës.

Bytyçi tha se qeveria nuk i mori parasysh propozimet e tyre dhe dje publikoi disa masa të tjera, të cilat nuk do të mund të adresojnë në nivelin e duhur dhe të nevojshëm krizën ekonomike.

“Ne konsiderojmë se masat e pakos së propozuar nga qeveria në ikje nuk janë të mjaftueshme për t’ju bërë ballë përmasave të pandemisë. Po ashtu, nuk jemi të sigurt se qeveria do të zbatojë edhe ato masa të mangëta që ka propozuar. Në pajti m me ligjin dhe Kushtetutën, që dje, Kryeministri në detyrë do të duhej të thirrte seancë të jashtëzakonshme të Kuvendit të Kosovës për të bërë plotësimin dhe ndryshimin e Ligjit për Buxhetin e vitit 2020. Nuk ka asnjë rrugë tjetër ligjore për të ndarë dhjetëra miliona euro për shpenzime që nuk janë të parapara në ligjin aktual. Për të realizuar pagesat e propozuara, rishikimi i buxhetit është i pashmangshëm dhe kjo duhet të ndodhë menjëherë”, tha ai.

Bytyçi tha se duke marrë parasysh shqetësimet e odave ekonomike dhe përfaqësueseve të punëtorëve të sektorit privat, si PDK kanë propozuar masa konkrete që janë në përputhje me kërkesat dhe mundësitë reale për të mbështetur sektorin privat dhe ekonominë e vendit.

Masat e propozuara nga PDK-ja:

1. Pagesa nga qeveria e një rroge optimale për punëtorët e sektorit privat. Nuk duhet të jetë referencë paga minimale, por paga mesatare në sektorin privat . Paga prej 170 euro është tepër e vogël, sidomos në këtë kohë të krizës. Punëtorët e sektorit privat nuk duhet t’i trajtojmë si kategori sociale, por si kontribues të rëndësishëm të ekonomisë sonë. Propozimi ynë është që paga për punëtorët e sektorit privat duhet të jetë 300 euro;

2. Shtesat për pagat e punëtorëve që janë në vijën e parë të frontit në luftën kundër koronavirusit duhet të jenë 300 euro në muaj për secilin. Këtu duhet të përfshihet personeli i shëndetësisë, i policisë, zjarrëfikësit, ushtarët e FSK-së, personeli i shërbimit korrektues, personeli i Inspektoratit të Tregut, i Inspektoratit Sanitar, etj. Po ashtu, nga 150 euro duhet të ndahen edhe për punëtorët e ndërmarrjeve publike, në nivel qendror dhe në nivel komunal, që ndërlidhen me shërbimet bazike, siç janë furnizimi me ujë dhe me energji elektrike, në kohën kur personeli i këtyre ndërmarrjeve është në terren çdo ditë, për të garantuar furnizimin e vazhdueshëm të qytetarëve me këto shërbime të domosdoshme;

3. Krijimi i një linjë të kreditimit emergjent prej 80 milionë euro me interes zero dhe periudhë 2-vjeçare të kthimit për bizneset e dëmtuara nga masat restriktuese për shkak të pandemisë, në mënyrë që ata të mund të mbulojnë shpenzimet rrjedhëse dhe të mund të rimëkëmbën pas kthimit të normalitetit;

4. Të subvencionohet pagesa e qerave të bizneseve që janë mbyllur si pasojë e krizës në masën prej së paku 50% të kostos;

5. Krijimi i një fondi humanitar prej së paku 40 milionë euro për të financuar furnizmin me ushqime dhe me produkte esenciale për kategoritë në nevojë, si dhe për të mbuluar kostot e barnave për qytetarët e moshës mbi 60 vjeç;

Back to top button