​PSD: Qeveria Kurti, vagon i negociatave të Thaçit

PSD reagoi ndaj marrëveshjeve të Munihut

Partia Socialdemokrate (PSD) ka reaguar sot ndaj marrëveshjes së arritur për linjën hekurudhore midis Kosovës dhe Serbisë, duke thënë se njësoj sikur ajo për linjën ajrore, edhe kjo e sotmja po nënshkruhet në terr të plotë informativ.

“Krejt çfarë dimë është që për Kosovën nënshkroi Xhemë Veseli si drejtor i Transportit Rrugor dhe Ramë Qupeva si drejtor i Infrastrukturës Rrugore, kurse për Serbinë Marko Gjuriq, udhëheqës i të ashtuquajturës Zyre Serbe për Kosovën. Pjesëmarrës të ceremonisë i pamë që ishin edhe presidentët Thaçi e Vuçiq, sigurisht krejt kjo nën udhëheqjen e ambasadorit amerikan në Berlin, Richard Grenell”, thuhet në reagim.

Sipas PSD-së, kryeministri Albin Kurti dhe Qeveria e sapo zgjedhur po vazhdojnë me ‘politikë struci’.

“Siç duket halli i tyre nuk është marrëdhënia me Serbinë, por vetëm marrëdhënia me publikun, prandaj po fshihen. Me këtë qasje, kryeministri dhe Qeveria do të mbeten vagon i negociatave të presidentit Hashim Thaçi”, thekson PSD, duke shtuar se Kosovës i duhet marrëveshja për njohje reciproke me Serbinë.

Back to top button