​Thaçi e konsideron mesazh paqeje marrëveshjen me Serbinë për hekurudhat

Emisari i Trump-it tha se përmes këtyre marrëveshjeve dëshirojnë të sjellin energji në dialogun në mes Kosovës dhe Serbisë

Në Munih të Gjermanisë sot u nënshkrua marrëveshja ndërmjet Kosovës dhe Serbisë për hekurudhën dhe autostradën që i lidhë dy shtetet. Përmes kësaj marrëveshjeje, Kosova dhe Serbia shfaqin gatishmërinë për rihapjen e rrugëve që janë pjesë e korridoreve hekurudhore dhe rrugore si dhe për ndërtimin e rrugëve të reja që lidhin dy kryeqytetet me njëra-tjetrën, ashtu si edhe me Evropën.

Nënshkrimi i kësaj marrëveshje u bë në prani të ambasadorit amerikan, Richard Grenell dhe presidentëve të dy shteteve, Hashim Thaçit dhe Aleksandër Vuçiqit. Në ceremoninë e nënshkrimit ka marrë pjesë edhe ambasadori i SHBA-së në Prishtinë Philip Kosnett dhe drejtori i së ashtuquajturës Zyrë Serbe për Kosovën, Marko Gjuriq.

Kjo marrëveshje është arritur me ndërmjetësimin e ambasadorit amerikan në Gjermani, Richard Grenell që njëherësh është edhe emisari special i presidentit amerik an Donald Trump për dialogun Kosovë-Serbi.

Ambasadori Grenell me këtë rast përkujtoi se Kosova dhe Serbia tashmë kanë të nënshkruara edhe dy marrëveshje të tjera. Ai tregoi se me dy presidentët, atë të Kosovës dhe Serbisë diskutoi për përpjekje më të mëdha drejt zhvillimit ekonomik, për çka tha se ka pasur një dakordim.

Po ashtu, emisari i Trump-it tha se përmes këtyre marrëveshjeve dëshirojnë të sjellin energji në dialogun në mes Kosovës dhe Serbisë në aspektin ekonomik duke mos shikuar atë politik.

Këtë marrëveshje e mirëpriti edhe presidenti i Kosovës, Hashim Thaçi i cili tha se gjatë këtij viti mund të arrihet marrëveshje përfundimtare paqësore me Serbinë.

“Është një hap tjetër i arritjes së marrëveshjes së sotme të progresit pas asaj të linjës ajror Prishtinë-Beograd. Marrëveshja e sotme e hekurudhave autostradave është mesazhi më i mirë që rajoni do të ketë më shumë paqe, zhvillim ekonomik, progres, vende të punës që u duhet njerëzve tanë në Kosovë, Serbi dhe Ballkanin Perëndimor. Kosova beson në lidershipin e presidentit Trump dhe gjithë administratës së tij dhe rolin e ambasadorit Grenell që gjatë kësaj periudhe, gjatë këtij viti mund të ar rihet edhe marrëveshja përfundimtare paqësore Kosovë-Serbi. Kjo është rruga për të cilën duhet të ecim përpara dhe mos të mbesim pengë i të kaluarës së hidhur të popujve tanë”, tha ai.

Edhe presidenti i Serbisë, Aleksandër Vuçiq u shpreh optimist se marrëveshja e sotme do të sigurojë paqe për rajonin.

“Para se gjithash, jam falënderues për presidentin Trump dhe emisarin Grenell që kanë treguar interesim të madh për rajonin. Kjo është diçka që nuk është e ndërlidhur me politikën dhe ka të bëjë, para se gjithash, me lirinë e lëvizjes, mallrave, kapitalit, shërbimeve dhe njerëzit. Nuk ishte lehtë të diskutosh me Prishtinën, por jam i lumtur që sot shoh përparim dhe edhe njëherë falënderoj Grenell dhe presidentin Trump për këto iniciativa, të cilat paraqesin rrugën e vetme për Serbinë dhe të gjithë ne do të ndihemi më mirë në të ardhmen dhe do të kemi mundësi që të stabilizojmë rajonin dhe të sigurojmë paqe për dekadat e ardhshme”, tha Vuçiq.

Kujtojmë që në muajin janar, Kosova dhe Serbia kanë nënshkruar edhe marrëveshjen për hapjen e linjës ajrore ndërmjet Prishtinës dhe Beogradit.

Back to top button