1 mijë euro gjobë për 100 euro të falsifikuara

A.R. gjatë deklarimit të tij nuk e pranoi fajësinë

I akuzuari me iniciale A.R, të hënën është shpallur fajtor nga gjykata në Ferizaj për vënien në qarkullim të kartëmonedhës së falsifikuar në vlerë prej 100 euro.

Kryetarja e trupit gjykues Hysije Gashi së bashku me anëtarët e trupit gjykues Adem Shabani dhe Kadrije Goga- Lubishtani të akuzuarin e kanë shpallur fajtorë dhe e kanë dënuar me burgim prej 3 muaj të cilin burgim me pëlqimin e të pandehurit ia ka zëvendësuar me gjobë në vlerë 1,000 euro. A.R. gjatë deklarimit të tij nuk e pranoi fajësinë por tha se nuk e ka ditur se kartëmonedha ka qenë e falsifikuar.

Ai tha ka qenë me vëllain dhe djalin e axhës duke shkuar në pushime në plazh kur kishte hyrë në një pompë për të blerë derivate për makinën e tyre. Në këtë pompë ata kishin paguar derivate në vlerë prej 50 euro ndërsa punëtori i pompës u kishte kthyer 50 euro si kusur. Por pas pak kohësh, punëtori i derivateve e kishte vërejtur se kartëmonedha ishte e falsifikuar dhe i ishte vënë pas në ndjekje bashkë me menaxherin, por pa mundur që ta gjejnë të dyshuarin.Sapo kishte arritur në Ulqin, bashkë me vëllain dhe djalin e axhës, i pandehuri kishte marrë një mesazh në Facebook nga menaxheri i pompës së benzinës dhe të njëjtit i ishte përgjigjur duke ia kthyer paratë prej 100 euro përmes një shoku të tij.

Vëllai i të akuzuarit B.R. theksoi se paratë i kanë bërë bashkë dhe nuk e di se të kujt kanë qenë 100 eurot e falsifikuara por dyshon se mos kanë qenë të tij pasi që i njëjti e kishte marrë rrogën atë ditë nga një hotel në të cilin punon si recepsionit dhe paratë i ka marrë në kesh dhe jo nga banka.

Prokurori i shtetit Rasim Maloku gjatë leximit të aktakuzës tha se i akuzuari, më 23 gusht 2017 rreth orës 14:57, në pompën e derivateve “HIB Petrol” në Ferizaj, ka vënë në qarkullim paranë e falsifikuar si të vërtetë.

Prokurori pretendon se i akuzuari e dinte që ajo kartëmonedhe ka qenë e falsifikuar./kallxo.com

Back to top button