1 votë “për” Sançezin që Maqedonia të hyjë në NATO

Ruzhin: Për 15 ditë Spanja pritet ta ratifikojë Protokollin e Maqedonisë

Për një votë, Pedro Sançez dje nuk arriti të formojë qeverinë në përpjekjen e parë të tij dhe kështu mbajti peng edhe anëtarësimin e plotfuqishëm të Maqedonisë së Veriut në NATO. Por, ligjet spanjolle parashohin që nëse në përpjekjen e parë dështon formimi i Qeverisë, përpjekja e dytë duhet të provohet pas 48 orësh. Kjo i bie, se Sançez deri nesër në ora 14:00 me orën tonë lokale do të duhet të sigurojë edhe një votë shtesë që do t’i sigurojë Qeverinë.

Formimi i Qeverisë do të mund të arrihet nëse Sançez siguron dy vota më shumë se sa numri i votave që janë kundër tij. 167 vota “për”  kundrejt 165 vota “kundër”. Por, ish ambasadori i NATO-s, Nano Ruzhin pret që nesër të formohet Qeveria dhe me këtë të hapet rruga e anëtarësimit të Maqedonisë në NATO. Ai nuk parasheh prolongim të këtij procesi.

“Këtë herë mendoj se do të formohet Qeveria, sepse partia, ata të cilët janë të mbyllur, praktikisht me shumë gjasë, sikur edhe te ne siç ishte votimi me shumicë për ndryshimet kushtetuese, janë marrë vesh Sançez me ata, qoftë për amnisti apo diçka tjetër, që të vihet deri te votimi”, theksoi ish-ambasadori në NATO, Nano Ruzhin.

Formimi i Qeverisë spanjolle do të hapë edhe rrugën e ratifikimit të Protokollit me të cilin Maqedonia bëhet anëtare e 30-të e NATO-s, pasi Spanja është i vetmi shtet që nuk e ka bërë një gjë të tillë, ndërkaq sipas rregullave të NATO-s, që një shtet i ri të bëhet anëtare, protokolli duhet të miratohet nga të gjitha shtetet anëtare të aleancës. Por, pas formimit të Qeverisë, siç sqaroi ish ambasadori Ruzhin, Spanjës do t’i duhet vetëm 15 ditë për ta përfunduar procedurën e ratifikimit të Protokollit.

“Në afat prej 15 ditësh procedura në Korteksin spanjoll dhe në Senat do të përfundojë dhe në këtë mënyrë, Maqedonia do të bëhet edhe zyrtarisht anëtare”, u shpreh Nano Ruzhin, ish-ambasador në NATO.

Pasi Spanja të formojë Qeverinë dhe e njëjta të ratifikojë Protokollin, pritet i njëjti të kalojë në Kuvendin e Maqedonisë së Veriut. Por e gjithë kjo procedurë duhet të përfundojë deri më 12 shkurt, sepse për këtë datë është caktuar edhe shpërndarja e Kuvendit, pasi më 12 prill Maqedonia shkon në zgjedhje të parakohshme. Nga ana tjetër, Qeveria ka propozuar ligj për ratifikimin e kushtëzuar të Protokollit të NATO-s. Ky propozim – ligj i mundëson Kuvendit të Maqedonisë së Veriut ta ratifikojë protokollin, pa e ratifikuar atë Kuvendi i Spanjës. Por, sërish Maqedonia e Veriut do të mund të bëhet anëtare e plotfuqishme vetëm pasi Protokollit të kalojë edhe në Senatin e Spanjës.

“Duhet të votohet ajo që është vendosur në rend dite, sepse ato ligje nuk janë të rastësishme nuk janë sjell nga kush e di ku, ato janë vendosur sipas standardeve ndërkombëtare. Ne nuk do të shpikim ujë të ngrohtë. Opozita duhet të votojë, sepse do të shtrohet pyetja a jeni për NATO apo edhe më tej do të aludoni në diçka që tashmë është përfunduar. Askush më nuk mund ta ndryshojë atë që është nënshkruar në Prespë”, tha Nano Ruzhin.

E në Prespë, shefat e diplomacive maqedonase dhe greke nënshkruan Marrëveshje e cila  zgjodhi kontestin 20-vjeçar mes Greqisë dhe Maqedonisë së veriut për çështjen e emrit. Kjo marrëveshje zhbllokoi procesin euro-atlantik të Maqedonisë së Veriut, dhe më këtë nisi procedura për anëtarësim në NATO./21Media

Back to top button