10 mijë euro gjoba për lojërat e fatit

 

ATK-ja bënë thirrje për respektim të ligjit

Drejtoria e Lojërave të Fatit ka zhvilluar aksion në qytetin e Prishtinës, në tri lokacione të ndryshme, në të cilat disa subjekte të lojërave të fatit kishin zhvilluar aktivitete të kundërligjshme të lojërave të fatit.

Gjatë këtij aksioni zyrtarët e Administratës Tatimore të Kosovës kanë konstatuar se këto subjekte ishin duke operuar pa vendim –licencë përkatëse të ATK-së.

Si rezultat i këtij aksioni janë mbyllur dy lokale të lojërave të fatit, si dhe janë konfiskuar pajisje të cilat  janë të pa licencuara. Ndërsa, gjoba e lëshuar nga ky aksion për këto subjekte është në vlerë 10 mijë euro.

Sipas komunikatës, aksioni është duke vazhduar edhe në lokacione tjera, për të verifikuar informacionet për ushtrimin e veprimtarisë së lojërave të fatit,  duke mos i respektuar dispozitat e Ligjit për Lojërat e Fatit.

ATK-ja u ka bërë thirrje të gjitha bizneseve që ushtrojnë veprimtarin e lojërave të fatit, të respektojnë ligjin, pasi që në të kundërtën do të merren masat konform dispozitave ligjore.

“ATK, në mënyrë që të jetë edhe më e suksesshme në zbatim e ligjit, mbetet e hapur për bashkëpunim me qytetarët dhe institucionet tjera të zbatimit të ligjit. Për këtë qëllim ftojmë qytetarët që të gjitha informatat e korrupsionit në lidhje me ATK-në dhe evazionin fiskal, t’i paraqesin në linjën pa pagesë 0800-80-800”, shkruhet në komunikatë./21Media

Back to top button