Për çka do të mbahet mend kjo legjislaturë?

Për çka do të mbahet mend kjo legjislaturë?

Për dallim nga kohët kur hidheshin bombola të gazit lotsjellës, vezë e sprej, në këtë legjislaturë Kuvendi i Kosovës përveç mungesave të deputetëve në seanca plenare u karakterizua me fjalë banale, sharje dhe akuza të ashpra ndërmjet deputetëve të Kuvendit.

Kreu i Kuvendit, Kadri Veseli do të mbahet mend kryesisht për debatet e ashpra me deputetët e LDK-së.

Driton Selmanaj gjatë një fjalimit të tij në foltoren e Kuvendit kishte kritikuar ashpër PDK-në. “Tradhtia, hipokrizia e ikja janë kulturë e PDK-së”, kishte thënë ai. Pas kësaj, kishte kërkuar fjalën kryetari i Kuvendit, i cili ia kishte përmendur Selmanajt punë e tij si anëtar i shoqërisë civile. “Ti je turpi i shoqërisë civile”, i kishte thënë Veseli, Selmanajt. I menjëhershëm kishte qenë reagimi i Selmanjt: “Unë jam detyrua me lëshu KDI për shkak të këtij”, kishte thënë deputeti, duke iu referuar Kadri Veselit.

E në diskutimet në Kuvend kryekuvendarit i ishte përmendur shpesh SHIK-u.

Ai kishte reaguar duke deklaruar “E keni marr zanat SHIK-u, SHIK-u, SHIK-u, kom me ju ngi SHIK këtë mandat, kemi me shku deri në fund, edhe Komisionin Hetues edhe të gjitha, edhe me media në mënyrë transparente, dëgjo, veç atëherë mos bo ciu ciu ciu mu tërhjek. Mos bo, qëndro deri në fund”, kishte deklaruar Veseli.

Kryekuvendari në Kuvend kishte debate të ashpëra edhe me deputetin tjetër të LDK-së, Lumir Abdixhikun.

Abdixhiku kishte akuzuar Kadri Veselin dhe presidentin Hashim Thaçi se kanë futë veteranë të rrejshëm në lista për vota. “Ju i keni bërë ato lista, tash po kërkoni prej meje proces hetimor këtu në parlament me vërtetua që i keni shtuar 60 mijë veta me lista. Emrin e ka Kadri Veseli, emrin e ka Hashim Thaçi e kanë komandantët e tyre që kanë bërë lista zgjedhore. Mos bëni hajgare, pse po thoni që unë i kam fryrë listat a, tash ju po doni me ditë prej meje kush i ka fryrë listat. Qe njeriu që i ka fryer listat, a ka qenë shef i SHIK-ut a ka qenë Hashim Thaçi me të, kush i ka bërë këto lista. Jo na i kemi bërë në LDK i kemi bërë na. Mos bëni hajgare”, kishte thënë Abdixhiku. Më pas kishte reaguar Veseli, i cili kishte kërkuar nga Abdixhiku që t’i drejtohet Prokurorisë dhe t’i tregojë se kënd e ka shtuar në listë. “Ti mundesh me fye sa të mundesh dhe gjithë fatkeqësinë e Kosovës me qit tek gjaku i luftëtarëve, por ne të cilët po mundohemi ta kryejmë buxhetin  do ta përfundojmë. Me pas prokuror ti Lumir në lëmin tane ish ardh dhe të kish pyet cilin veteran e ka futur Kadri Veseli, a ka ndonjë anëtar të familjes, ndonjë shok që është futur në lista. Ti e ke urrejtë UÇK-në o Lumir, e urren edhe sot”, kishte thënë Veseli. E deputeti i LDK-së, Veselit i kishte thënë se PDK-në nga një parti e madhe e ka sjellë në një parti me një grusht deputetësh.

Edhe deputetja e Lëvizjes Vetëvendosje, Drita Millaku ishte përplasur në Kuvend me Kadri Veselin.

Debati mes Millakut dhe Veselit kishte filluar nga kritikat dhe kërcënimet e deputetes ndaj kryetarit të Kuvendit të Kosovës. Millaku kishte kritikuar Veselin për sharjen që ia kishte bërë deputetëve të VV-së në seancën e votimit të demarkacionit një muaj më parë. “Heqe maskën tënde dhe tregoje fytyrën e vërtetë që e ki. Nëse të kishim dëgju se i ke bërë ato sharje gjatë seancës, nuk kishe shpëtu. Por, për besë nuk i kemi dëgju”, i kishte thënë Millaku, Veselit. Ndërkaq, Veseli ia kishte ndalur për një moment fjalën Millakut. I ka thënë se ka diçka personale me të. “Veç pak zojë. Zojë, si me pas lidhje diçka me mu ti! Çka mu ke gju, se më sakatove”, ia kishte kthyer Veseli. E pastaj Millaku e kishte kërcënuar Veselin, duke i thënë se “gazin lotësjellës në gojë ta kisha shti”. Në atë pikë, debati kishte eskaluar kur Veseli i kishte thënë Millakut: “A e përdorë me gojë shumë a?”. Më vonë, Veseli kishte kërkuar falje nëse ndonjëra nga gratë deputete ishte ndier e fyer nga fjalët që kishte thënë, por e kishte kritikuar Millakun për kërcënimet që ia kishte drejtuar atij dhe për akuzat e pabaza që ajo i kishte bërë më parë. Millaku, gjatë seancës disa muaj para përplasjes së lartpërmendur, ishte shprehur se Veseli dhe presidenti Hashim Thaçi kanë dhënë urdhrin për vrasjen e komandant “Drinit”.

Ndërsa, gjatë seancës ajo iu ishte drejtuar Veselit se ka pasur aktakuzë në vitin 2003 dhe se ka një vendim të Prokurorisë. “Kërkesa për dekorimin e komandant Drinit rrinë në sirtarë qe 4 vjet. Pra nuk e dekoron për shkak se me urdhër dhe dijeni të tij dhe Kadri Veselit ai është vrarë”, kishte akuzuar Millaku. Mirëpo, në aktakuzën e përmendur nga Millaku bëhej fjalë për të dënuarin Sali Veseli, i cili ishte dënuar në mars të vitit 2003 nga Paneli Ndërkombëtar Gjykues në Gjykatën e Prizrenit, për vrasjen e Ekrem Rexhës, i njohur si komandant Drinit.

Nuk kanë munguar as përplasjet ndërmjet deputetëve të LDK-së dhe Vetëvendosjes.

Një përplasje kishte në mes deputetes Vjosa Osmani dhe Shqipe Pantinës. Kjo e fundit kishte reaguar ndaj replikave të deputetëve të LDK-së karshi qeverisjes së PDK-së. “Kur po e shoh Lumirin e Vjosën duke e kritiku PDK-në po më duket sikur janë në Vetëvendosje”, kishte deklaruar Pantina. I menjëhershëm kishte qenë reagimi i Osmanit, e cila ia kishte bërë me dije Pantinës se Lumiri e ajo asnjëherë nuk do të jenë pjesë e Vetëvendosjes. Sipas Osmanit, Vetëvendosje nuk bënte asgjë veç se merrej me ish-qeverisjen e LDK-së. “Shqipe po më vjen interesant sa shumë të paskan dhimbtë këto replikat tona me PDK-në, dhe do ta marrësh përgjigjen se unë dhe Lumiri kurrë nuk do të vijmë në Vetëvendosje, se ju nuk keni me bërë asgjë veç me u merr me ish- qeverisjen. Po shihet Shqipe që je brumë i PDK-së shiko përreth sa ish-deputet të PDK-së ke rreth vetit”, kishte deklaruar Osmani. E kundër replika nuk ka munguar nga ana e Pantinës, e cila edhe njëherë ia kishte kujtuar Vjosa Osmanit të LDK-së se ka qenë pikërisht LDK ajo e cila ka hyrë në qeverisje me PDK-në.

Gjatë seancës së Kuvendit në dhjetor të vitit 2017, kryeministri Ramush Haradinaj kishte dalë në foltore pasi kishte marrë kritika nga deputetët e opozitës, LDK dhe Vetëvendosje. Haradinaj u kishte thënë atyre se marrëveshja e parë për demarkimin e kufirit me Malin e Zi ishte gabim, duke kundërshtuar ato që kanë thënë për njerëzit e komisionit shtetëror si Shpejtim Bulliqi dhe tjerët. Madje ai iu kishte thënë deputetëve të LDK-së njëqind herë të rrëzohet në këmbë zgjohet. “Me marr macen e me gju prapë në këmbë bie, por plot janë këtu që nëse rrëzoheni nuk qoheni më në këmbë. Edhe politikisht, edhe me zgjedhje, edhe mu rrëzu edhe mu çu, për tema t ‘atdheut mane men, këtu më keni gjithë. Për që mendon dikush se ma devijon rrugën për tema të atdheut gaboni”, kishte thënë Haradinaj.

Në Kuvendin e Kosovës në këtë ligjislaturë ka ndodhur edhe një përplasje epike mes kryeministrit Ramush Haradinaj dhe deputetes së Alternativës, Mimoza Kusari-Lilës. Teksa ishin duke debatuar për tema të tjera, Haradinaj ia kishte përmendur asaj një vizitë të delegacionit të Kosovës te ish-diktatori i Libisë, Muammar Gaddafi.“Unë nuk di te shkoj aq larg. Vallëzimin si kualitet s’e kam, besomë, por di te respektoj miqtë dhe i respektojë”, kishte thënë ai. Ndërkohë, Mimoza Kusari-Lila ia kishte kthyer Haradinajt se ndjen keqardhje për kryeministrin, që sipas saj po tregon se çfarë niveli ka degraduar debatin.

Demarkacioni, ka qenë tema që ka bërë ‘lëmsh’’ Kuvendin. Për këtë temë kishte dhe një debat ndërmjet Haradinajt dhe deputetit të LDK-së, Kujtim Shalës.

Shala kishte kritikuar kryeministrin që kishte nisur në Kuvend marrëveshjen e demarkacionit, bashkë me raportin e Komisionit për Shënjimin e Kufirit me Malin e Zi. Shala me këtë rast, kishte thënë se kryeministri nuk do të duhej që ta votonte këtë marrëveshje, po qe se deklarohet se është kundër saj. Me këtë rast, ai kishte thënë se Haradinaj tashmë është bërë pjesë e kësaj marrëveshjeje, meqë sipas tij, ka firmosur versionin e tanishëm. Ndërkaq, Haradinaj duke pranuar se e ka nënshkruar atë për të kaluar në Kuvend, kishte thënë se LDK nuk ka “qare” pa e votuar këtë version. “Po tërhiqem, ke të drejtë, është nënshkrimi im, po qare pa votuar s’keni se ju keni thënë krejt dynjasë se do ta votojmë, kishte thënë Haradinaj. Një gjë të tillë shefi i ekzekutivit e kishte thënë edhe në gjuhën angleze, duke deklaruar se deputetët duhet të zgjedhin opsionin “yes” ose “no” rreth kësaj marrëveshjeje. Pas kësaj, ishte kundërpërgjigjur menjëherë Shala, i cili i ishte përgjigjur po ashtu me opsionin anglisht rreth votës së LDK-së karshi kësaj marrëveshjeje. “E them anglisht siç e do kryeministri, Yes”, kishte theksuar Shala, duke treguar për votën e LDK-së.

Kryeministri shpesh ishte përplasur me Albin Kurtin.

Lideri i Vetëvendosjes, Albin Kurti në fjalën e tij në Kuvend kishte kritikuar Ramush Haradinajn se ka qeveri të pakicës, me asnjë çerek të deputetëve. Por, një përgjigje për këtë ia kishte dhënë menjëherë kryeministri. Në shaka, ai kishte thënë “unë i kom veç 10 deputetë, veç të huaj e të konopit i kom, qe 20 vjet s’kanë lujtë, qata jonë. Jom shku në burg e kom nejt 8 vjet, jom kthy qaty i kom gjetë. Maji ti tut që të mujsh se mirë është me i majtë. Nëse e kupton për çka po flasim”, kishte thënë Haradinaj. Ndërsa, i ishte përgjigjur Kurti, duke i thënë se dallimi mes deputetëve të Vetëvendosjes dhe AAK-së është shumë i madh, pasi sipas tij, Vetëvendosja nuk i ka deputetët kushërinj as familje siç i ka Haradinaj.

Fjalët banale dhe sharjet ishin bërë përditshmëri në Kuvendin e Kosovës.

Në rastin Haliti- Gashi, gjithçka kishte filluar kur deputet i LDK-së, Arben Gashi kishte kërkuar fjalën nga kryesuesi Xhavit Haliti me pretendimin se i është përmendur emri. “Balosh ama fjalën, mashtrues, le të shkon në rr*** të s****”, ishin fjalët, me të cilat i ishte drejtuar Gashi-Halitit nga karriga e tij. Një ditë pas kësaj seance, Haliti pasi që kishte mbushur fletën e votimit për anëtarë të Gjykatës Kushtetuese ishte përplasur fizikisht me deputetin Gashi. Deputetët tjerë aty pranë nuk kishin lejuar që situata të eskalonte edhe më tej. Në konflikt ishte përfshirë edhe deputeti i AAK-së, Gani Dreshaj, por i cili ishte ndaluar nga deputetët tjerë. Pas kësaj, kryetari Kadri Veseli i kishte lutur të gjithë deputetët që të koncentrohen në proces të votimit. “Iu respektoj shumë të gjithë por iu kisha lutur të gjithë për hir të familjeve dhe sakrificës që të ndalen sjelljet e pahijshme në Kuvend.”, kishte thënë Veseli.

Ndër debatet më të ashpra në Kuvendin e Kosovës gjatë këtyre viteve ishte ai ndërmjet Xhavit Halitit dhe Anton Qunit, për shkak se ky i fundit e kishte akuzuar Halitin se gjatë kohës së luftës kishte pranuar 8 milionë marka nga ish – ministri i Mbrojtjes në Qeverinë e Kosovës në ekzil, Ahmet Krasniqi.

Haliti kishte thënë se Quni po “rren”, sepse nuk ka qenë prezentë dhe nuk e di ngjarjen e takimeve në mes tij dhe Krasniqit. Në anën tjetër, deputeti i LDK-së kishte thënë se deklaratat e tij janë të argumentuara me ditë, datë dhe vend, nga njerëzit që kanë qenë prezent në këto takime. Sipas Qunit, nuk ka asgjë të keqe nëse janë pranuar paratë për ta ndihmuar luftën çlirimtare, por që sipas tij, shqetësim është nëse paratë janë keqpërdorur. Pas kësaj, Haliti ia kishte ndalur fjalën për replikë Qunit, gjë që kishte krijuar tollovi te foltorja e Kuvendit, në seancën që ishte duke u udhëhequr Xhavit Haliti./21Media