Hapat e parë të Edonës drejt suksesit

Hapat e parë të Edonës drejt suksesit

Edona Hamza një 10 vjeçare, e cila ka prejardhjen nga Podujeva është përzgjedhur nga një agjent i Hollywood-it nga departamenti i të rinjve në CTG.

Në një prononcim ekskluziv për rtv21.tv, babai i Edonës, Muharrem Hamza ka treguar se në konkursin që u përzgjodh Edona kanë konkurruar 400 fëmijë, 30 prej tyre janë përzgjedhur në mesin e të cilëve ishte edhe Edona.

Hamza ka treguar që vajza e tij, Edona nuk është trajnuar asnjëherë më parë për në fushën e aktrimit, andaj është shumë i lumtur që me provat e para arriti të përzgjedhej për në Hollywood.

Babai i Edonës është shprehur shumë krenar për suksesin që ka arritur vajza e tij edhe pse këta janë hapat e parë të saj.“Presim që Edona të na bëjë krenar që jemi shqiptarë dhe të luajë role të mëdha”, ka thënë Hamza për rtv21.tv

Muharrem Hamza me familje ka 19 vjet që jeton në Kanada dhe ka treguar se Edona që nga mosha 8 vjeçare është marrë me këndim në gjuhën shqipe dhe atë angleze.

Lajmi për përzgjedhjen e Edonës drejt filmave të Hollywood-it u bë sot përmes një postimi në rrjetin social, Facebook nga babai i Edonës, Muharremi. “Pas një jave të gjatë trajnimi dhe audicionimi ne jemi shumë krenarë të tregojmë që vajza jonë, Edona Hamza është zgjedhur nga një agjent i Hollywood-it nga departamenti i të rinjve në CTG. Ky agjent do ta prezantojë atë me karrierën e saj të re në këtë moshë kaq të re. Në jemi shumë krenarë me aktoren tonë, Edonën. Rrugëtimi i Edonës vetëm sa ka filluar dhe mezi po presim të shohim se çka do të sjellë  fati për të. Të duam vogëlushe”./21Media