100 ditë pa paga punëtorët e Pallatit të Rinisë, VV kritikon Ahmetin

Sipas VV-së, Ahmeti nuk po arrin t’i menaxhojë përgjegjësitë që i takojnë si kryetar

Dega e Lëvizjes Vetëvendosje në Prishtinë përmes një njoftimi për media ka kritikuar Kryetarin e Prishtinës, Shpend Ahmeti se pavarësisht premtimit, nuk u ka dhënë pagat punëtorëve të Pallatit të Rinisë dhe Sporteve.

“Sa muaj do të zgjasë java e Shpendit për t’ju dhënë pagat punëtorëve të Pallatit të Rinisë dhe Sporteve? Sot, me 8 dhjetor, bëhen një muaj që kur Kryetari i Komunës së Prishtinës ka vizituar Pallatin e Rinisë dhe Sportit dhe në bashkëbisedim me punëtorët ka premtuar që pagat e dy muajve, shtator dhe tetor do t’i merrnin brenda javës. Por sot, edhe një muaj pas, punëtorët e Pallatit të Rinisë e Sportit ende nuk kanë marrë pagat dhe tashmë po bëhen 100 ditë pa paga për punëtorët”, bëhet e ditur në kumtesë.

Sipas VV-së, Ahmeti nuk po arrin të menaxhojë me asnjë nga përgjegjësitë që i takojnë si kryetar, dhe sipas tyre, sikur kjo të mos mjaftonte pretendon të marrë përgjegjësi shtesë në negociatat me Serbinë.

“Punëtorëve të Pallatit të Rinisë dhe Sporteve duhet që t’iu jipen pagat sa më parë. Çdo vonesë në këtë drejtim iu jep të drejtë punëtorëve për ndërrmarrjen e hapave të paralajmëruar. Qendra e Lëvizjes VETËVENDOSJE! në Prishtinë po përcjellë me vëmendje gjithë këtë situatë dhe sigurisht që do të qëndrojë krah punëtorëve”, përfundon kumtesa.

Back to top button