100 vjet nga vdekja e Ismail Qemalit

Qemali kishte qenë kryeministër i parë i Shqipërisë

Sot shënohet 100-vjetori i vdekjes së kryeministrit të parë shqiptar, Ismail Qemali, njeriu që më 1912 kishte shpallur pavarësinë e Shqipërisë në qytetin e Vlorës.

Ai kishte vdekur në rrethana misterioze më 24 janar 1919, në Peruxhia të Italisë, pak momente para se të jepte një konferencë për shtyp. Deri më sot nuk ka një variant përfundimtar të vdekjes së tij, por gjithmonë ishin hedhur dyshime se është helmuar nga qarqet greke, serbe, turke apo italiane.

Më 28 Nëntor të vitit 1912, Shqipëria e kishte shpallur Pavarësinë dhe Ismail Qemali kishte qenë kryeministër i parë i Shqipërisë. Në shpalljen e pavarësisë kishin marrë pjesë 83 delegatë nga të gjitha trevat shqiptare. Menjëherë pas shpalljes së pavarësisë, Asambleja e Vlorës e kishte formuar Qeverinë e parë të Shqipërisë së Pavarur të drejtuar nga Ismail Qemali.

Njohja ndërkombëtare e pavarësisë, si dhe përcaktimi i kufijve të Shqipërisë ishte bërë pas një viti në Konferencën e Ambasadorëve në Londër, vendim i së cilës kishte qenë shpallja e Principatës shqiptare sovrane nga Perandoria Osmane nën mbikëqyrjen e Komisionit Ndërkombëtar të Kontrollit dhe lënia e gjysmës së territoreve të shtetit të porsaformuar jashtë kufijve të tij administrativë.

Back to top button