106 vjet që nga fillimi i Konferencës së ambasadorëve në Londër

​Konferenca kishte filluar punimet në dhjetor-1912 në St James’s Palace nën drejtimin e Sir Edward Grey-t

Konferenca e ambasadorëve në Londër, e mbajtur në 1912-1913 e njohur ndryshe edhe si Konferenca e Paqes në Londër ishte një takim ndërkombëtar i gjashtë Fuqive të Mëdha të asaj kohe: Britania e Madhe, Franca, Gjermania, Austro-Hungaria, Rusia dhe Italia, ku trojet shqiptare ishin copëtuar, duke kënaqur egon e Serbisë dhe Greqisë.

Këto fuqi ishin mbledhur më 13 dhjetor 1912, si rezultat i sukseseve të ushtrive të Ligës Ballkanike kundër Perandorisë Osmane në Luftën e Parë Ballkanike. Në veçanti konferenca ishte përpjekur të luante rolin e arbitrit ndërmjet fuqive ndërluftuese për çështjen e shpërndarjes së tokave dhe gjithashtu kishte përcaktuar të ardhmen e Shqipërisë, e cila kishte deklaruar pavarësinë gjatë Luftës së Parë Ballkanike. Konferenca e Londrës ishte ndjekur nga delegatët e vendeve të Ligës Ballkanike, përfshirë Perandorinë Osmane dhe Greqinë, e cila nuk kishte nënshkruar armëpushim.

Konferenca kishte filluar punimet në dhjetor-1912 në St James’s Palace nën drejtimin e Sir Edward Grey-t. Sesionet e tjera të konferencës kishin vazhduar më 16 dhjetor 1912, por ishin ndërprerë pa ndonjë konkluzion më 23 janar 1913, kur në Perandorinë Osmane ishte zhvilluar një grusht shteti. Më 30 maj 1913, konferenca kishte rimarrë punimet dhe kishte nënshkruar Traktatin e Londrës, një marrëveshje sipas së cilës Perandoria Osmane hiqte dorë nga të gjitha territoret në perëndim të kufirit Enos-Midia. Pas shumë diskutimesh, më 29 korrik 1913, ambasadorët kishin marrë një vendim formal për të njohur Principatën e Shqipërisë si shtet sovran të pavarur nga Perandoria Osmane.

Si rezultat i presionit nga Greqia dhe Serbia konferenca kishte marrë vendime që kishin prekur gjysmën e territorit të Shqipërisë së pavarur, të banuar kryesisht nga shqiptarë etnikë dhe rreth 30% e shqiptarëve kishin mbetur larg kufijve të shtetit shqiptar të sapokrijuar. 40 përqind e popullsisë shqiptare ishte lënë jashtë kufijve të Principatës së Shqipërisë. Në veçanti Vilajeti i Kosovës i ishte dhënë Serbisë dhe Çamëria Greqisë.

Një komision special ishte ngarkuar për të përcaktuar kufirin shqiptaro-grek. Duke qenë i pamundur studimi i hartave etnografike, vendimi që kishte marrë konferenca që mbi argumente strategjike, ekonomike e politike. Ky vendim i kishte dhuruar Greqisë Epirin Jugor, një tokë të banuar historikisht nga shqiptarë etnikë. Edhe pse kishin marrë shumë toka të banuar nga shqiptarë, aleatët ballkanikë kishin mbetur të pakënaqur nga kongresi dhe menjëherë kishin filluar Luftën e Dytë Ballkanike.

Back to top button