11 persona të arratisur nga burgjet e Kosovës

Siguria në burgjet e Kosovës

Dy persona kanë ikur nga Qendra Korrektuese e Smrekonicës në Vushtrri, më 3 shkurt të këtij viti. Por, deri më tani nuk ka asnjë risi lidhur me këtë rast.

Zëdhënësi i policisë për rajonin e Mitrovicës, Avni Zahiti ka konfirmuar për portalin rtv21.tv se këta dy të arratisur ende janë në kërkim.

Këta të dy nuk janë të vetmit në arrati. Drejtori i Përgjithshëm i Burgjeve të Kosovës, Nehat Thaçi për portalin rtv21.tv bëri të ditur se janë gjithsej 11 të dënuar që janë arratisur nga burgjet e Kosovës deri më tani që nga fillimi i vitit 2018, të cilët ende janë në kërkim.

Gjatë kësaj periudhe 29 të burgosur ishin arratisur, por policia e Kosovës ka arritur t’i arrestojë 20 prej tyre. Ndërsa 11 prej tyre kanë mbetur në arrati.

Për të arratisurit pas kthimit në institucion parashihen masa disiplinore, por edhe ligjore.

Drejtori Nehat Thaçi për rtv21.tv ka sqaruar se të arratisurit zakonisht kanë qenë të dënuar për vepra të ndryshme penale, por sipas tij dominojnë veprat penale “vjedhje e rëndë dhe narkotik”. Ata të cilët tentojnë apo arratisën nga burgjet zakonisht janë ata të cilët kanë nën 3 vjet mbetje të dënimit.

Ndërsa sa i përket sigurisë në burgje, Nehat Thaçi për rtv21.tv tha se vetëm gjatë viti 2018 kanë pasur 39 transferime për të vuajtur dënimin nga shtetet e BE-së por edhe nga shtetet tjera me të cilat Ministria e Drejtësisë ka marrëveshje dhe kjo sipas Thaçit është bërë falë vlerësimit të mirë të sigurisë që ofrojnë institucionet korrketuese në Kosovë.

“Shërbimi Korrektues ka krijuar kapacitet të sigurisë për institucionet korrektuese, ne kemi burgje të cilat ofrojnë siguri maksimale por kemi edhe institucionet që janë të nivelit të mesëm apo të ulët të sigurisë varësisht nga tipi i institucionit”, u shpreh ai.

Nga ana tjetër njohësi i çështjeve të sigurisë, Hajrullah Tërnava në një prononcim për portalin rtv21.tv konstaton se çështja e sigurisë në përgjithësi në Kosovë është e brishtë.

“Jo rrallë herë ndegjojmë për keqpërdorime të mëdha në polici, gjyqësi, prokurori, burgje etj. Krejt këto dukuri negative bazamentin kryesor e kanë të të fortit e shtetit, me ndikimet e tyre politike në postet e larta, ata kanë krijua nepotizem dhe lidhje farefisnore nëpër institucionet e Kosovës ku i udhëheqin ato” tha Tërnava duke shtuar se nuk janë kryer verifikime të nevojshme.

Njohësi i çështjeve të sigurisë ua lë fajin edhe gardianëve, që sipas tij nuk marrin vërejtje për sjelljet negative.

“Ata të punësuar si gardianë te cilët gjatë punës, po edhe nëse nuk janë të diciplinuar, në kryerjet e detyrave të përditshme në vendet e tyre të punës, shefat e tyre as që ua tërhjekun vërejtjet në sjelljet e tyre negative, sepse e dijnë kush qëndron prapa tyre dhe pasojat që i presin, po ranë në konflikt me ta. Të gjithë ata që janë pranuae në këtë mënyrë, dhe punojnë nëpër vendet e tyre të punës në burgjet e Kosovës, dhe marrin rrogat e tyre mujore, janë pengesë që të kontribojnë në resocializimin e të burgosurve, te cilët e kryejnë kohën e burgosjeve të tyre”, u shpreh Tërnava, derisa tha se kjo shpjegon faktin e arratisjes së dy personave e para disa ditesh nga Qendra Korrektuese e Smrekonicës.

Mirëpo, Drejtori i burgjeve, Nehat Thaçi për portalin rtv21.tv tha se Shërbimi Korrektues ndërmerr masa ndaj çdo zyrtari Korrektues i cili nuk zbaton rregullat dhe Ligjin. Ai tha se vetëm gjatë viti 2018 ka marr masa disiplinore ndaj 36 zyrtarëve, masat siç shpjegon Thaçi janë që nga vërejtja e deri tek ndërprerja e marrëdhënjës së punës. Ai konfirmoi se 2 zyrtarëve korrektues u është shkëputur marrëdhënia e punës për shkak të keqpërdorimit të detyrës.

Por përkundër kësaj, njohësi i çështjeve të sigurisë, Hajrullah Tërnava ka shprehur nevojë urgjente për zgjidhjen e këtij problemi, Tërnava propozojë si të nevojshëm Vettingun.

“Është shumë e nevojshme të parashihet një Vihtting dhe të spastrohet të gjitha institucionet e Kosovës e posaqerisht burgjet në Kosovë. Për ta ndryshuae një gjendje të tillë në të mirë të situatës dhe pastertisë ligjore për të gjithë, kishte me qenë e nevojshme që nga të gjithë të punësuarit nëpër burgjet e Kosovës, të bëhet verifikimi i përshatshmërisë të gjithë të atyre që punojnë në këtë institucion, ata të cilët e kalojnë këtë kriter të vazhdojnë me punën e tyre, të tjerët që se kalojnë këtë kriter t’iu shkëputet marrëdhënia e punës, dhe të hapet konkurs i ri për pranim të njerëzve gardianë të pastër para ligjit për një punë të dinjitetshme në institucionet e burgjeve të Kosovës”, u shpreh ai./21Media

Back to top button