Një person në gjendje të rëndë

Një person në gjendje të rëndë

Instituti Kombëtar i Shëndetësisë Publike të Kosovës ka bërë të ditur se virusi A i gripit është në qarkullim në Kosovë. Tani janë konfirmuar 11 raste të personave te prekur nga gripi sezonal po trajtohen në Qendrën Klinike Universitare të Kosovës.

Në kuadër të Shërbimit Spitalor dhe Klinik Universitar të Kosovës është formuar konsiliumi, i cili po përcjell gjendjen me gripin sezonal. “Pas analizës së bërë nga konsiliumi, konstatohet se në Klinikën Infektive të Qendrës Klinike Universitare të Kosovës (QKUK), nga 1 dhjetori  2019 deri me 15.01.2020, janë konfirmuar 11 raste me gripin sezonal (Influenca A)”, bëhet e ditur nga QKUK.

Për momentin në Klinikën Infektive janë të shtrirë për trajtim 4 raste, 3 prej tyre janë në gjendje stabile, ndërsa një rast është në gjendje të rëndë dhe po trajtohet në Mjekimin Intensiv të klinikës.

Ndërsa, një pacient rreth 80 vjeç, i cili kishte edhe probleme tjera shëndetësore, ka vdekur në muajin dhjetor.

Nga ana e Ministrisë së Shëndetësisë, thuhet se tashmë kanë siguruar sasi të mjaftueshme të vaksinave kundër gripit dhe iu bëhet thirrje qytetarëve, sidomos atyre në moshë dhe atyre me sëmundje kronike, që të vaksinohen.

Ndërsa Instituti Kombëtar i Shëndetësisë Publike që të mbroni nga gripi rekomandon që të mbani higjienën personale, lani duart sa më shpesh, ajrosni mjediset e mbyllura dhe mos rrini në vendet ku grumbullohen shumë njerëz dhe mos dilni kur ajri është i papastër./21Media