Ai ishte dekoruar me "Urdhrin e Flamurit" për kontributin e tij në mbështetje të çështjes shqiptare

Ai ishte dekoruar me “Urdhrin e Flamurit” për kontributin e tij në mbështetje të çështjes shqiptare

Presidenti George W. Bush ishte bërë presidenti i parë në detyrë i Shteteve të Bashkuara që kishte vizituar Shqipërinë.

Ai nuk mund të priste një mikpritje më entuziaste. Ai dhe bashkëshortja e tij, Laura, ishin pritur në aeroportin e Rinasit nga ministri i Jashtëm shqiptar në atë kohë, Lulzim Basha dhe nga deputetët Bamir Topi e Ben Blushi.

Më pas presidenti Bush ishte takuar në Pallatin e Brigadave me presidentin e Shqipërisë, Aleksandër Moisiun. Presidenti shqiptar i kishte dhënë zotit Bush dekoratën më të lartë “Urdhrin e Flamurit” për kontributin e tij në mbështetje të çështjes shqiptare.

Presidenti amerikan në një konferencë të përbashkët me kryeministrin e atëhershëm, Sali Berisha kishte vlerësuar nivelin e lartë të marrëdhënieve midis Shqipërisë dhe SHBA-së.

Presidenti po ashtu kishte thënë se beson se plani i të dërguarit të posaçëm të OKB-së, Marti Ahtisarit për pavarësi të mbikëqyrur është zgjidhja e duhur për Kosovën.

Ai kishte thënë se do të punonte për të bindur gjithë vendet e Këshillit të Sigurimit dhe Serbinë për këtë gjë.

Bush kishte thënë se SHBA-ja përkrah dëshirën e Shqipërisë për t’u anëtarësuar në NATO.  “Shpreha dëshirën që Shqipëria të hyjë (në NATO), unë jam përkrahës i kësaj dëshire,” kishte thënë presidenti amerikan.

Gjatë qëndrimit në Tiranë, Bush kishte folur para trupave shqiptare, një shprehje mirënjohje kjo për Shqipërinë që kishte kontribuar ushtarakisht në Afganistan dhe Irak.

“U thashë trupave se ju respektoheni nga ushtarakët tanë si ushtarë të stërvitur mirë dhe kurajozë,” tha zoti Bush. Ai inkurajoi politikanët shqiptarë të punojnë së bashku për të plotësuar standardet e anëtarësimit në NATO. Politikanët duhet të punojnë së bashku për të arritur këto standarde, të lënë mënjanë ndryshimet politike,” kishte thënë ai.

Bush kishte takuar në Fushë-Krujë një grup biznesmenësh shqiptarë që kishin marrë mbështetje financiare nga agjenci amerikane zhvillimi. Pas takimit ai kishte dalur jashtë protokollit, në rrugën kryesore të Fushë-Krujës, ku kishte takuar  shumë qytetarë entuziastë. Presidenti amerikan, George W Bush kishte mbërritur në Tiranë në vizitën e parë të një presidenti amerikan në Shqipëri.