Ministri i Punëve të Jashtme të Emirateve të Bashkuara Arabe ka deklaruar se në bashkëpunim me kryetarin e Kuvendit të Kosovës, Kadri Veseli do ta organizojnë një forum të madh investiv për Kosovën në Dubai

Ministri i Punëve të Jashtme të Emirateve të Bashkuara Arabe ka deklaruar se në bashkëpunim me kryetarin e Kuvendit të Kosovës, Kadri Veseli do ta organizojnë një forum të madh investiv për Kosovën në Dubai

Kryetari i Kuvendit të Kosovës, Kadri Veseli, është pritur në takim të veçantë nga ministri i Punëve të Jashtme të Emirateve të Bashkuara Arabe, Sheikh Abdullah bin Zayed Al Nahyan dhe në këtë takim  është diskutuar për investimet direkte të Emirateve të Bashkuara Arabe në Kosovë.

Sheikh Abdullah tha se në bashkëpunim me kryetarin Veseli do ta organizojnë një forum të madh investiv për Kosovën në Dubai.

Ai tha se forumi duhet të bëhet në Dubai pasi ka mundësi t’i ftoj investitorët më të mëdhenj të Emirateve të Bashkuara Arabe dhe rajonit.

Sheikh Abdullah ka kërkuar nga kryetari Veseli që Kosova në këtë forum të investitorëve, të paraqet plane konkrete për investimet direkte në Kosovë.

“Partneriteti mes Emirateve të Bashkuara Arabe dhe Kosovës është në rrugë të drejtë por ka nevojë për energji të shtuar në forcimim e marrëdhënieve mes dy vendeve tona”, tha kryediplomati i Emirateve të Bashkuara Arabe.

Kurse kryetari Veseli nga ana e tij ka falënderuar Emiratet për ndihmën e dhënë Kosovës.

Veseli ka kërkuar mbështetjen e Emirateve për sjelljen e investimeve direkte në ekonomi, pasi, siç tha ai, Kosova është vend i mundësive për investitorët e huaj.

“Nga njohja, tani do të kalojmë në fuqizimin e marrënieve bilaterale dhe promovimin e Kosovës në këtë pjesë të rëndësishme të botës. Do të përgatisim projekte konkrete dhe do t’i paraqesim në Forumin e investimeve për Kosovën”, ka thënë Veseli.

Emiratet e Bashkuara Arbe janë vendi i parë arab që e kanë njohur pavarësinë e Kosovës.