Stavileci: Kosova siguron stabilitet energjetik me Strategjinë e re

 

Ministria e Zhvillimit Ekonomik në bashkëpunim me USAID-in, sot organizuan forumin e nivelit të lartë për energjinë “Strategjia e Energjisë dhe Liberalizimi i Tregut”.

Në këtë forum u diskutua për rëndësinë e strategjisë së energjisë dhe zbatimin e saj, për sfidat aktuale dhe të ardhshme të liberalizimit të tregut, për reformat kyçe që do të ndërmerren dhe për zbatimin e masave të buta ËB6. Gjithashtu, pjesë e diskutimit ishte edhe vazhdimi i përpjekjeve për integrimin rajonal të tregut, si dhe detyrimet e rëndësishme ndërkombëtare të cilat i ka marrë përsipër Kosova, ku siguria e furnizimit me energji vazhdon të ketë rëndësinë strategjike për sigurinë e brendshme dhe prosperitetin e ardhshëm ekonomik të vendit tonë.

Hapjen e forumit “Strategjia e Energjisë dhe Liberalizimi i Tregut” e bëri Ministri i Zhvillimit Ekonomik, Blerand Stavileci, i cili tha se sfida më e madhe me të cilën përballet sektori i energjisë vazhdon të jetë siguria e furnizimit me energji elektrike, si pasojë e vonesave në ndërtimin e termocentralit të ri të prodhimit të energjisë elektrike të bazuar në thëngjill, si dhe vonesave në zëvendësimin dhe rehabilitimin e kapaciteteve të prodhimit.

Si dokument afatgjatë thelbësor për zhvillimin e sektorit të energjisë, ministri Stavileci tha se strategjia e re përcakton objektivat themelore të Qeverisë në zhvillimin e sektorit të energjisë.

“Strategjia e re përcakton pesë objektivat e rëndësishme, siç janë siguria e furnizimit të qëndrueshëm dhe cilësor të energjisë elektrike me kapacitetet e nevojshme për një sistem stabil, integrimi në tregun rajonal të energjisë, pastaj zgjerimi i kapaciteteve ekzistuese të sistemeve termike përmes rehabilitimit (TCB) dhe zëvendësimit të kapaciteteve të vjetruara (TCA) me kapacitete të reja (TCKR), zhvillimi i infrastrukturës së gazit natyror, si dhe arritjen e caqeve të efiçiencës së energjisë, burimeve të ripërtëritshme dhe mjedisit sipas detyrimeve të Traktatit të Komunitetit të Energjisë dhe MSA-së”, u shpreh ministri Stavileci.

Duke pasur parasysh zhvillimet drejt një tregu të liberalizuar, kryeministri Isa Mustafa tha se reformat e përgjithshme gjithsesi që paraqesin sfidë institucionale dhe ekonomike për sektorin e energjisë në Kosovë.

“Ne kemi miratuar Strategjinë e Energjisë për periudhën 2017-2026 dhe këtë e konsiderojmë si një të arritur të veçantë, sepse energjia mbetet një prej prioriteteve themelore dhe jo vetëm si resurs relevant për zhvillim ekonomik dhe për zhvillim social edhe në këtë periudhe, por edhe në periudhën e ardhshme”, tha kryeministri Mustafa.

Ndërsa, Ambasadori i Shteteve të Bashkuara të Amerikës, Greg Delawie, theksoi se viti 2017 është një kthesë e rëndësishme në sektorin e energjisë. “Shumë prej jush e mbani mend dimrin e para gjashtë vitesh ku shumë shtëpi dhe biznese mbeteshin në terr. Sot jeta ka ndryshuar në mënyrë dramatike. Ky është një përparim i dukshëm, por edhe përkundër të arriturave ende paraqet një sfidë për furnizim stabil që bëhet përmes dy centraleve të vjetruar.

“SHBA do të jetë partneri juaj për të ju mbështesim juve në hapat ku ju duhet të merrni vendime të vështira. Jam krenar që mbështesim Kosovën për të zhvilluar integrimin e energjisë. Duam që liberalizimi i tregut të sjell tarifa të përshtatshme të energjisë”, tha Delawie.

Pjesë e këtij forumi ishin edhe përfaqësuesi e Bankës Botërore në Kosovë dhe ai i Zyrës së Bashkimit Evropian në Kosovë./21Media

 

 

Back to top button