USAID ofroi mbështetje për 14 komuna

USAID ofroi mbështetje për 14 komuna

Misioni USAID në Kosovë në kuadër të aktivitetit “Qeverisja Lokale Efektive në Kosovë” ofroi mbështetje 12 milionë euro për 14 komuna të Kosovës, me qëllim të përmirësimit dhe rritjes së transparencës së qeverisjes lokale. Komunat përfituese nga ky projekt janë Dragashi, Graçanica, Istogu, Klina, Kllokoti, Leposaviqi, Mitrovica Veriore, Novobërda, Obiliqi, Parteshi, Ranillugi, Shtërpca, Zubin Potoku dhe Zveçani.

Drejtoresha e USAID-it në Kosovë, Lisa Magno, tha se qeverisja e mirë komunale nuk varet vetëm nga zyrtarët komunalë, por kërkoi organizimin qytetar.

“Qeverisja e mirë komunale nuk ka të bëjë vetëm me zyrtarët komunalë kur bëjnë punë të mirë, por ka të bëjë edhe me atë se çka mundë ta arrijë një grup i përkushtuar i qytetarëve, dhe se mosndërmarrja e asgjëje vetëkënaqësia nuk ndihmojnë në këtë drejtim”, tha ajo.

Ministrja në detyrë e Administrimit të Pushtetit Lokal, Adriana Hoxhiq, u zotua se institucioni që ajo përfaqëson do të mbështesë realizimin e këtij projekti. Derisa bashkëpunimin me USAID-in e vlerësoi historik, Hoxhiq tha se ky projekt që kap shifrën 12 milionë euro synon fuqizimin e qeverisjes lokale.

“Në cilësinë e ministres së Administratës të Pushteti Lokal me praninë time këtu  ndodhem për të garantuar mbështetjen tonë si institucione që përmes bashkëpunimit të pandërprerë të aktiviteteve tona të përbashkëta me USAID-in, për të dhënë kontributin tonë për realizimin e suksesshëm të këtij projekti në shumën prej 12 milionë eurosh që për qëllim ka avancimin e cilësisë së shërbimeve komunale, fuqizimin e marrëdhënieve ndëretnike dhe promovimi i diverzitetit në 14 komuna”, tha Hoxhiq.

Këtë projekt e mirëpriti kryetari i komunës së Graçanicës, Srxhan Popoviq, i cili tha se përmirësimi, transparenca në qeverisje lokale, përfshirja e rinisë dhe gruas mbeten objektivat e komunës që ai drejton.

“Qytetarët do të duhej të jenë sa më mirë të informuar për vendimet dhe projektet e planifikuara nga komuna dhe kuvendi komunal, dhe të konsultohen me rastin e harxhimit të mjeteve buxhetore. Modalitetet janë të ndryshme, kurse qëllimi është që qytetarët të jenë të përfshirë në procesin e marrjes dhe sjelljes së vendimeve. Se sa i rëndësishëm është komunikimi me qytetarët në krijimin e politikave lokale, flet edhe transparenca e qeverisjes lokale që nga marrja e detyrës së kryetarit të komunës qytetarët janë në vendin e parë”, tha ai.

Nënkryetari i Komunës së Obiliqit, Ibush Mjekiqi, shprehu përkushtimin e kësaj komune për fuqizimin e gruas dhe transparencës. Ai ka bërë të ditur se 5 nga 11 drejtoritë komunale në Obiliq udhëhiqen nga femrat.

“Vlen të theksohet se në komunën e Obiliqit duke u bazuar në përcaktimin e kryetarit të komunës dhe të ekzekutivit në rritjen e rolit të gruas pesë nga drejtoritë komunale udhëhiqen nga femrat, që gjithsej janë 11 drejtori. Ashtu siç e keni edhe ju aktivitetin tuaj pesëvjeçar me qeverisjen efektive lokale, i cili bazohet në aktivitetin pesëvjeçar, i cili ka për qëllim të ofrojë ngritjen e ndërveprimit në mes institucioneve të qeverisjes lokale dhe qytetarëve me qëllim të përmirësimit të shërbimeve, transparencës dhe aktiviteteve kontaktuese me qytetarë me fokus të veçantë ndaj komuniteteve jo shumicë në nivelin lokal, edhe programi ynë qeverisës ka prioritet qytetarin dhe transparencën, dhe sidomos bashkëpunimin komunë-qytetar”, tha ai.