Sulm vetëvrasës në një dasmë

Sulm vetëvrasës në një dasmë

Një 13-vjeçar vrau të paktën pesë persona dhe plagosi 40 të tjerë premten në një sulm vetëvrasës në një ceremoni martese në Afganistanin lindor.

Attaullah Khogyani, zëdhënës i guvernatorit të provincës Nangarhar, tha se sulmuesi, djalë i ri, i shpërtheu eksplozivët brenda shtëpisë së komandantit të një policie pro-qeveritare, në qarkun Paçeragam.

Komandanti në shënjestër është Malek Tor, i cili udhëheq një grup që lufton kundër talibanëve dhe grupit ekstremist Shteti Islamik.

Përgjegjësinë për sulmin nuk e mori ende asnjë grup.

Provinca Nangarhar është bastion i militantëve të Shtetit Islamik, të cilët janë aktivë në kufirin lindor të Afganistanit me Pakistanin.

Grupi ka kryer disa sulme ndaj zyrave qeveritare, shkollave dhe organizatave të ndihmës gjatë viteve të fundit në Nangarhar.

Ushtria amerikane vlerëson se ka rreth 2,000 militantë të Shtetit Islamik në Afganistan./21Media