14 ndërmarrje kurdisën çmimin e naftës në Kosovë!

AKK heton tregun

Autoriteti i Konkurrencës në Kosovë (AKK), për dhjetë muaj ka nisur një hetim për tregun e derivateve të naftës pas lajmeve dhe reagimeve se ndërmarrjet që operojnë në treg nuk kanë reflektuar në krahasim me çmimet e berzës.

Kryetari i AKK-së, Valon Prestreshi sot në një konferencë për media ka thënë se janë hetuar 14 ndërmarrje dhe hetimi i AKK-së që ka filluar në fillim të vitit 2019 është nxitur pasi që dyshohet se operatorët e shitjes me pakicë të këtyre derivateve nuk kishin reflektuar në mënyrë individuale gjatë caktimit të çmimeve gjatë muajve nëntor dhe dhjetor të vitit 2018, kur çmimi në tregun e Kosovës kishte mbetur i njëjti përkundër rënies së çmimit në berzën ndërkombëtare. “Andaj, hetimi i AKK-së po zhvillohet për të parë nëse nëse kemi të bëjmë me ndonjë veprim anti-konkurrues nga operatorët e tregut, ose më konkretisht, nëse ka pasur ndonjë abuzim me pozitën dominuese apo marrëveshje të ndaluar nga ligjet që e rregullojnë konkurrencën në Kosovë”, ka thënë Prestreshi.

Sipas tij, fillimisht, AKK-ja ka zhvilluar një hetim preliminar, që nënkupton mbledhjen e të dhënave nga autoritetet përgjegjëse siç janë Doganat, Ministria e Tregtisë dhe Industrisë, ATK-ja si dhe intervistimin e operatorëve që operojnë në tregun e naftës në Kosovë. Kurse, më 15 shkurt të këtij viti, AKK ka nisur precedurën hetimore ndaj këtyre ndërmarrjeve për të zbardhur të gjitha dyshimet lidhur me ndonjë shkelje eventuale.

Prestreshi ka thënë se bazuar në Njoftimin e Fakteve Paraprake të konstatuara gjatë procedures hetimore, dyshohet se kompanitë që operojnë me shitjen me pakicë të derivateve nuk kanë reflektuar në mënyrë individuale për çmimin e shitjes dhe fitimit bruto për muajt nëntor dhe dhjetor të vitit 2018. “Kjo do të thotë që kompanitë që bëjne shitjen me pakicë të naftës dyshohet se kanë pasur fitim prej rreth 9 % gjatë muajve janar-tetor 2018, kurse fitimi në muajin nëntor ka qenë në mesatare prej 60%. Në dhjetor, fitimi mesatarisht ka qenë 124%”, ka thënë Prestreshi.

Sipas tij, të njëjtat dyshime ekzistojnë edhe sa i përket shitjes me pakicë të benzinës. Më konkretisht, derisa fitimi për periudhën janar-tetor 2018 ka qenë 12%, në nëntor ka qene 108% kurse në dhjetor 135%, ka thënë Prestreshi.

“Sidoqoftë, një vendim përfundimtar lidhur me këtë do të merret vetëm pasi që të përfundojnë afati për paraqitjen e komenteve nga të gjithë operatorët. Ky afat është një muaj”, ka thënë Prestreshi./21Media

Back to top button