Krijohen hapësira moderne

Krijohen hapësira moderne

Klinika e Alergologjisë me Imunologji është bërë me hapësira të reja, duke përfshirë kështu gjashtë dhoma me nga dy shtretër dhe me nyje sanitare higjienike. Për këtë klinikë është bërë investim në vlerë mbi 150 mijë euro.

Drejtori i Shërbimit Spitalor dhe Klinik Universitar të Kosovës, Basri Sejdiu tha se kjo klinikë deri më tani ka punuar vetëm me pacientë ambulator pa pasur shtretër dhe mundësi.

“Klinika e Alergologjisë nuk ka ekzistuar me si klinikë hapësira, ka pasur vetëm një apo dy në dhoma dhe 13 mjekë, pa hapësira do të thotë. Nuk ka funksionuar dhe ka ekzistuar mënyrë ambullanterike dhe tani kemi marrë si prioritet që Klinika e Alergologjisë të ketë hapësira, të jetë si klinikë, si çdo kund. Të gjitha hapësirat e nevojshme që të ketë pacient edhe të shtruar, sepse trajtimi i shumë sëmundjeve nuk mund të bëhet vetëm në formë ambullanterike, por të hospitalizuar”, tha ai.

Sejdiu shtoi se tashmë janë krijuar hapësira moderne për punë me stafin mjekësor dhe se pacientët do të kenë mundësi tashmë të kryejnë shërbime jo vetëm ambulatore, por edhe të shtrihen për trajtim.

E drejtori i Klinikës së Alergologjisë me Imunologji, Dukagjin Zogaj tha se për këtë klinikë ishin bërë shumë kërkesa, megjithatë nuk ishin realizuar. Ai tregoi se tani kanë gjashtë dhoma me nga dy shtretër.

“Prej fjalëve në vepra është mirë me vazhdu. Klinika e Alergologjisë pas shumë e shumë viteve kërkesa janë ndërruar edhe drejtorë edhe ministra, kërkesat tona kanë hasur në vesh të shurdhër, kështu që këtë herë përfundimisht është krijuar një klinikë moderne, jo vetëm për Kosovën por edhe për regjionin. Dhe shpresoj që shumë shpejt do të aktivizohet dhe do të kemi mundësi që të tregojmë edhe për profesionalizmin e mjekëve tonë”, u shpreh Zogaj.

Ndryshe, deri tani si raste ambulatore në këtë klinikë kanë qenë deri në 40 raste brenda ditës.