Apelohet për kujdes ndaj ndotjes së ajrit në kryeqytet

Dita e Tokës  festohet që nga viti 1970

Maska të cilat mund t’i dizajnojnë vet qytetarët, matje të drejtpërdrejta të cilësisë së ajrit, fletushka informuese për ndikimin e ajrit në shëndet dhe shumë aktivitete të tjera, po mbahen sot në sheshin “Zahir Pajaziti”, në aksionin kundër ndotjes së ajrin në kryeqytet.

Ky  aksion  është i organizuar nga Rrjeti i Edukatorëve Bashkëmoshatarë, si dhe Lëvizja Shkenca për Ndryshim, me mbështetje financiare të Komisionit Evropian, ku si  qëllim kryesor kishin vetëdijesimi i  qytetarëve për rëndësinë që e ka ajri në shëndetin tonë.

Zyrtarja e projektit “Making Sense”, Sihana Bejtullahu ka treguar se nëpërmjet logos “Winter Is Coming” (dimri është duke ardhur) po tentojnë që të paralajmërojnë qytetarët se edhe pse në këtë stinë është ajri më i mirë, kur të vije dimri prapë do të ballafaqohen me ajër të keq.

“Ne sot kemi dalë duke japë dy mesazhe. Mesazhi i parë është se tash ka ardhë pranvera, ka ardhë vera dhe cilësia e ajrit është më e mirë, por mesazhi tjetër është se dimri po vjen, shumë shpejtë do të thotë, pas disa muajsh do të kemi prapë dimër, do të kemi prapë një ajër shumë të keq, kështu që është një thirrje ndaj institucioneve, ndaj njerëzve që të bëjmë për përmirësimin e cilësisë së ajrit, të marrim hapa që tani që kur të vjen dimri mos të na zë pa përgatitë”, tha ajo.

Ajo ka treguar se qytetarët për nderë të Ditës së Tokës, gjatë tërë ditës së sotme mund të marrin maska, madje edhe t’i dizajnojnë vet ato.

“Ne i kemi dizajnuar disa maska vet që qytetarëve me iu shpërnda, por lirisht munden të vijnë gjatë gjithë ditës jemi sot këtu. Munden të vijnë me dizajnu maskën e vet që me përdor kur të është cilësia e keqe e ajrit, në të gjithë botën vendosen maska, nuk është asgjë për marre veç tregon që po e ruan shëndetin.”, tregoi ajo.

Vullnetarja në “Making Sense”, Toska Salihu thotë se ky projekt është shumë i rëndësishëm për shkak se vendi ynë radhitet ndër vendet më të ndotura.

“Duke e marrë parasysh që gjatë dimrit, rezultatet e ndotjes së ajrit janë barazu me vendet më të ndotura në botë, me Kinën, atëherë rëndësia e këtij projekti është shumë e madhe, edhe pse gjatë verës dhe dimrit nuk shihet shumë ndotja e ajrit, ajo prapë ka me ardhë në të njëjtin nivel gjatë dimrit për atë edhe e kemi shkruar “Winter is Coming”, që duhet të bëhemi pak paraprakisht gati”, tha ajo.

Ky projekt ka filluar në mars të vitit të kaluar dhe ka pasur shumë sukses edhe me kampanjën  me kukulla. Me anë të këtyre projekteve arrihet më lehtë që në temat e qytetarëve të futet edhe tema e ajrit.

Dita e Tokës  festohet që nga viti 1970 me qëllim të vendosjes në faqe të parë problemet dhe shqetësimet e mjedisit.

 

 

 

 

Back to top button