“Përurimi i Kullës dëshmi se historia e dëshmorëve po përjetësohet”

Mustafa vlerësoi lartë figurën dhe kontributin e dëshmorit Ismet Rrahmani dhe dëshmorëve të tjerë të Kosovës

Kryeministri i Kosovës, Isa Mustafa, mori pjesë në ceremoninë e inaugurimit të Kullës Muze të ndërtuar për nder të dëshmorit Ismet Rrahmani.

Në inaugurimin e Kullës, ishin të pranishëm po ashtu ministra të kabinetit qeveritar, deputetë, përfaqësues të Komunës së Skenderajt, veteranë të luftës, familjarë dhe bashkëluftëtarë të dëshmorit, Ismet Rrahmani.

Kryeministri Mustafa, vlerësoi lartë figurën dhe kontributin e dëshmorit Ismet Rrahmani dhe dëshmorëve të tjerë të Kosovës, duke theksuar se veprat e tyre do të mbesin përherë pjesë e kujtesës historike dhe burim frymëzimi për të ardhmen tonë.
Pas fjalimeve nga të pranishmit, kryeministri Mustafa bashkë ministrin e Kulturës, Rinisë dhe Sportit, Kujtim Shala, nënkryetarin e Komunës së Skenderajt, Fadil Nura, nënën dhe vëllain e dëshmorit, Ismet Rrahmani, bënë prerjen e shiritit të Kullës së dëshmorit Ismet Rrahmani.

Mustafa tha se Kosova krenohet me figurat e saj, me veprat që  sipas tij do të mbesin përherë pjesë e kujtesës historike dhe burim frymëzimi për të ardhmen tonë, për të ndërtuar një Kosovë të lirë, humane dhe të prosperuar.

“Përurimi i Kullës Muze, ku ra dëshmor Ismeti, është dëshmi se historia e këtyre burrave po përjetësohet.Kjo është dëshmi se institucionet e Kosovës, janë të përkushtuara për të ruajtur dhe kultivuar këtë pjesë të rëndësishme të historisë së re të Kosovës.Sot, jam i lumtur që kjo hapësirë po shndërrohet në një vend të rëndësishëm për historinë e re të Kosovës, ku qytetarët e këtij vendi mund të vijnë dhe të vizitojnë, për t’u njohur me vlerat që përfaqëson lufta jonë për liri, që përfaqësoni ju luftëtarët tanë të kësaj ane që flijuat çdo gjë për lirinë e vendit tonë.” shtoi Mustafa.

Sipas Mustafës Ismet Rrahmani me jetën dhe veprën e tij, ka lënë një testament të përhershëm që ne të punojmë për Kosovën, mbi të gjitha, të punojmë me atdhedashuri dhe përkushtim. /21Media

 

Back to top button