Kultivimi i dredhëzës në Kosovë shtrihet në mbi 200 hektarë tokë

Kultivuesit e parë të dredhëzës ishin nga Komuna e Vushtrrisë 

Në emisionin Start Up në RTV21, këtë javë u diskutua për një kulturë të rëndësishme bujqësore në vendin tonë. Bëhet fjalë për kultivimin e dredhëzës.

Zyrtari i Ministrisë së Bujqësisë, Pylltarisë dhe Zhvillimit Rural,  Isuf Cikaqi,  tregoi se sa ka interesim nga ana e fermerëve të Kosovës, që të kultivojnë këtë kulturë.

“Interesimi i fermerëve nga viti në vit po shkon duke u rritur. Bazuar në statistikat që janë, menjëherë pas luftës ka pasur shumë pak të kultivuara dredhëza, për të mos thënë fare, eventualisht nëpër kopshtet e ekonomive familjare. Mirëpo, me një punë të mirë në radhë të parë nga ana e vet fermerëve, duke e parë interesimin për këtë kulturë dhe ndihmën nga donacionet e ndryshme, fermerët e parë kanë filluar të identifikohen me sipërfaqe më të mëdha”, ka thënë Cikaqi, duke shtuar se me rritjen e sipërfaqeve, fermerët kanë parë se kjo punë është mjaftë profitabile, shkruan rtv21.tv

Cikaqi ka treguar se MBPZH, nëpërmjet programeve të veta dhe bazuar në interesimin që kanë pasur fermerët për këtë kulturë, e ka përfshirë në programin e saj mbështetës edhe dredhëzën.

Sipas tij, sipërfaqet me këtë kulturë gjatë vitit 2010, kanë qenë thuajse minimale, rreth 46 hektarë. Ndërsa deri më tani kjo kulturë ka marr përmasa mjaftë të mëdha, ku aktualisht sipas të dhënave të ashtuquajturit, raporti i gjelbër, janë mbi 200 hektarë tokë ku kultivohen dredhëzat.

Zëvendësdrejtori i Programit “Agro” në USAID, Fatmir Selimi, tregoi për përkrahjen që i ka dhënë ky program, fermerëve që e kultivojnë dredhëzën.

Selimi ka treguar se USAID me ndihën e tij, ka kontribuar që t’i vetëdijesojë fermerët se kultivimi i dredhëzës ka një potencial dhe një kapacitet që të siguroj të ardhura shumë të mira për një familje kosovare.

“Me programi USAID Agro,  po tentojmë që ta ngritim në nivel më të lartë. Ta ngritim në atë nivel që dredhëza e cila prodhohet në Kosovë, ta ketë më së pari tregun, sepse tregu është ai që i tregon dikujt se çfarë duhet me prodhua”, ka thënë Selimi, duke shtuar se në këtë fazë janë duke punuar me pika grumbulluese të cilat kanë kërkesa për një lloj të ri të dredhëzës, e cila është industriale.

Sipas tij, programi po parasheh që dredhëzat e kultivuara të eksportohen edhe jashtë vendit, shkruan rtv21.tv

Ndërsa, drejtori i Organizatës për Zhvillimin e Bujqësisë në Kosovë, Zenel Bunjaku, ka treguar se kjo organizatë që nga viti 2003 ka ndihmuar fermerët për kultivimin e dredhëzës.

“Fal donatorëve në vitin 2003 në Komunën e Vushtrrisë ne kemi pas kultivuesit e parë. Që në atë kohë ne kemi siguruar materialet e para fidanore  të importuara nga Italia”, ka thënë Bunjaku.

Dredhëza së bashku me boronicën, manaferrën dhe mjedrën bëjnë pjesë në grupin e pemëve të imta, që nganjëherë thirren edhe pemët malore./21Media

 

Back to top button