170 të vdekur nga koronavirusi në Kinë

Frika nga virusi, bllokohet anija me 7000 turistë në Itali

Autoritetet shëndetësore në Kinë bënë të ditur se ka arritur në 170 numri i të vdekurve nga koronavirusi në këtë vend, ndërsa numri i rasteve të infektuara, sipas tyre, ka arritur në mbi 7 mijë e 700.

Autoritetet shëndetësore në Kinë bënë të ditur se 170 njerëz kanë humbur jetën nga një koronavirus që është përhapur në këtë vend. Sipas tyre, koronavirusi ka prekur secilin rajon të Kinës, ndërsa numri i rasteve të infektuara ka kaluar 7 mijë e 700.

Raste me këtë koronavirus janë raportuar edhe në së paku 16 vende të tjera.

Koronavirusi, që është një familje e gjerë virusesh, është shfaqur për herë të parë në dhjetor të vitit të kaluar në qytetin Vuhan të Kinës. Organizata Botërore e Shëndetësisë takohet sot për të vendosur nëse ky koronavirus përbën emergjencë globale shëndetësore ose jo.

“Në ditët e fundit, përparimi i virusit sidomos në disa vende dhe transmetimi i tij nga njeriu në njeri përbëjnë shqetësime për ne”, tha drejtori i përgithshëm i OBSH-së, Tedros Adhanom Ghebreyesus.

“Edhe pse numri i rasteve jashtë Kinës është ende relativisht i vogël, ai ka potencial të rritet edhe më shumë”, shtoi ai.

Në zhvillilme tjera, frika nga koronavirusi ka bërë që një anije me 7000 turistë të bllokohet në Itali. Dy të dyshuar si të prekur me virusin e ri vdekjeprurës janë izoluar në spitalin e anijes, të ankoruar në portin e Civitavecchia. Burrë e grua nga Hong Kongu të cilët kanë shfaqur probleme me frymëmarrjen dhe kishin temperaturë të lartë, aktualisht janë nën mbikëqyrjen e mjekëve, të cilët po realizojnë disa teste për të verifikuar nëse bëhet fjalë për koronavirus.

Pasagjerët e tjerë në anijen turistike, rreth 7000, për momentin nuk mund të zbresin prej saj. Për të kontrolluar situatën brenda portit ka ndërhyrë dhe Kapiteneria.

“Jemi duke pritur rezultatet e testimeve të kryera. Të gjitha hapat që duheshin realizuar janë ndërmarrë. Situata është nën kontroll dhe për momentin nuk shihet të ketë motive për t’u shqetësuar në bord”, deklaroi zyrtari i Rojes Bregdetare. Vicenzo Leone.

Koronavirusi mund të shkaktojë sëmundje nga ftohja e zakonshme deri te Sars-i.

Sars, sindromë e rëndë akute e frymëmarrjes, ka shkaktuar vdekjen e mbi 700 njerëzve në botë gjatë shpërthimit të tij më 2002-3./21Media

Back to top button