Rrugëtimi i një balerine 

Rrugëtimi i një balerine 

Në kohën kur në mbarë botën të rinjtë luftojnë t’i ngjiten skenës së teatrit, si rasti i 15 – vjeçares së mbuluar me shami nga Australia, Stephanie Kurlow, në vendin tonë trupa e Baletit Kombëtar të Kosovës (BKK) është e pasur me balerinë të talentuar.

Në këtë trupë në vitin 2000 u regjistrua Leonora Rexhepi, një vajzë e re nga Prishtina e cila për rtv21.tv ka rrëfyer rrugëtimin e saj në këtë profesion.

Tanimë pas shumë vitesh qëndrimi në majat e gishtërinjve, Leonora është bërë balerinë profesionale, me të cilën mburret BKK-ja.

“Në vitin akademik 2000/2001 u regjistrova në shkollën e Muzikës Prenk Jakova në Prishtinë, në degën e baletit. E përzgjodha këtë drejtim pas vallëzimi është pjesë e shpirtit dhe baleti është profesioni që më përmbushë më së miri”, ka thënë Leonora.

Megjithëse me gjithë kënaqësitë shpirtërore që përjetojnë balerinët kosovar, nuk mungojnë as vështirësitë dhe sfidat. Duke marr parasysh mungesën e Teatrit të Baletit apo skenën e dëmtuar ku në çdo provë apo shfaqje kjo trupë rrezikon shëndetin dhe karrierën e saj, shkruan rtv21.tv

“Vështirësitë janë çdo herë të pranishme për ne, ku ka shumë faktorë. Por, falë punës dhe vullnetit tonë si trupë, së bashku me drejtorin Ahmet Brahimaj, ne arrijmë që t’i shmangim vështirësitë dhe të ecim përpara. Dihet që ky art është magjik dhe delikat që do kushte specifike ku hyjnë salla për ushtrime, skena, dhomat e zhveshjes e shumë të tjera. Pra duhet një objekt ku ofron kushtet bazë për balet, gjë që edhe sot e kësaj dite jemi në pritje”, shprehet Leonora.

Përkundër vështirësive, Leonora me kolegët e saj arrijnë t’i impresionojë koreografët e huaj.

“Fatmirësisht kam privilegj që jam pjesëmarrëse e një trupe të tillë, ku përveç katër premierave që shfaqen gjatë vitit, japim edhe reprizat çdo muaj reprizat në skenën e Teatrit Kombëtar të Kosovës. Deri më tani afër 40 premiera janë ofruar për publikun e gjerë. Çdo koreograf që vjen të ndajë eksperiencën e vet me ne, ndahet aq i kënaqur sa shpreh dëshirën të vijë prapë dhe të bëjë bashkëpunimin e radhës”, shtoi Leonora, duke treguar se deri më tani ajo përkrah kolegëve të saj ka luajtur në skenat e teatrove të shteteve si Zvicër, Turqi, Itali, Austri dhe Francë.

Zakonisht djemtë janë ata që përballen me komente të ndryshme ku paragjykohen për faktin se janë balerinë. Por, sipas Leonorës, ky lloj arti nuk ka kuptim pa djemtë si pjesë e saj.

“Unë nuk mendoj që baleti është art më shumë për femra sesa për djemtë, pasi që në këtë art patjetër duhen edhe djemtë,  përndryshe i bie që ne vajzat të kërcejmë pa partner”, është shprehur ajo.

Për Leonorën përkrahësit më të mëdhenj në këtë rrugëtimin janë publiku dhe familja e saj, të cilët në çdo shfaqje ulen në karriget e kuqe për të përkrahur më të voglën e shtëpisë.

Me urimin që në ndonjë intervistë tjetër, ajo do të flasë për objektin e ri të Teatrit të Operës dhe Baletit, Leonora tha se është kënaqësi dhe ndjenjë madhështore të jesh balerinë./21Media