Kryeministri viziton zonat e prekura

Kryeministri viziton zonat e prekura

Rëndohet bilanci i viktimave nga moti i keq në Japoni. Zëdhënësi i qeverisë foli për 176 të vdekur, ndërkohë që dhjetra të tjerë figurojnë të zhdukur.

Kërkimet nga ekipet e shpëtimit vazhdojnë, por shpresa për gjetjen e të mbijetuarve po zvogëlohet nga ora në orë.

Kryeministri japonez Shinzo Abe vizitoi zonat më të prekura.

Shirat e regjistruar ditët e fundit kanë shkaktuar përmbytje të mëdha dhe rrëshqitje të dheut, duke rrënuar shtëpitë në një zonë të madhe.

Numri më i madh i viktimave u regjistrua në zonën e Hiroshimës.

E ndërsa kërkimet për personat e zhdukur po vazhdojnë, një tjetër kërcënim shfaqet në horizont.

Agjencia Kombëtare ka paralajmëruar për një valë të nxehtit për shtatë ditët e ardhshme, ku temperaturat në zonat e shkatërruara nga përmbytjet mund të tejkalojnë 35 gradë Celsius.

Të paktën 7 mijë e 200 banorë që janë detyruar të largohen nga shtëpitë e tyre dhe të akomodohen në qendra strehimore, pritet të përballen me vapën dhe rrezikun e helmimit me ushqim, për shkak të ngrohjes së vazhdueshme.

Sipas Ministrisë japoneze të Shëndetësisë, furnizimi me ujë të pijshëm është ndërprerë në 255 mijë shtëpi në 12 prefektura, dhe në rreth 16 mijë komplekse banimi janë bllokuar linjat telefonike dhe interneti.