Të pranishëm në lansimin e grantit ishin përfaqësues të 38 komunave

Të pranishëm në lansimin e grantit ishin përfaqësues të 38 komunave

Sot u lansua granti për performancën e komunave, i cili është organizuar nga Ministria e Administrimit të Pushtetit Lokal dhe Agjencia Zvicerane për Zhvillim dhe Bashkëpunim, ku përfituese nga ky program për vitin 2019 janë 19 komuna.

Të pranishëm në lansimin e grantit ishin përfaqësues të 38 komunave të Kosovës.

Ivan Todosijeviq, ministër i Administrimit të Pushtetit Lokal, tha se përmbushja e 14 kritereve të performancës e bën më të mirë jetën e qytetarëve. Sipas tij, për vitin 2019 janë përzgjedhur 19 komuna përfituese me vlerën 2 milionë e 250 mijë euro.

“Jemi shumë të kënaqur se në kuadër të fondit stimulues të MAPL-së për vitin 2018 janë përzgjedhur 11 komuna përfituese të grantit prej 900 mijë euro, dhe këtë vit në bazë të treguesve të vitit 2016 përmes grantit të performancës dhe financimit në mes MAPL-së dhe SDC Demos, 25 komuna kanë marr mjete në shumë prej 2 milionë e 25 mijë euro. Këtë vit kemi vlerësuar të arriturat e komunave në bazë të treguesve për vitin 2017 për ndarjen e granteve në vitin 2019 dhe janë përzgjedhur 19 komuna shfryëzuese në vlerë prej 2 milionë e 250 mijë euro”, tha ai.

Ministri Todosijeviq ka inkurajuar krerët e komunave që të tregojnë performancë më të mirë me qëllim që të përfitojnë nga ky grant, si dhe të gjejnë forma tjera për të rritur performancën komunale.

Ai tha se këtë vit MAPL ka përfunduar sistemin online për raporti dhe bazën ligjore në kuptimin e menaxhimit të performancës komunale.

Hyzer Gashi nga ministria e Financave, tha se financimi i komunave dhe realizimi i mirëfilltë i buxheteve të tyre ndikon në jetën e qytetarëve, andaj si ministri janë të përkushtuar në financimin e tyre. Sipas tij komunat përmes këtij granti po stimulohen për një performancë më të mirë në qeverisjen lokale.

“Shumë e qëlluar është fushë veprimtaria e këtij granti që përmes stimulimit financiar tash e nxisim, përkrahim komunat, përmirësojmë performancën e tyre në fushave e qeverisjes demokratike, menaxhimin e transparencës. Në fakt pikërisht këto sfera të angazhimit janë në masë të madhe përcaktuese në zhvillimin e përgjithshëm të secilës komunë, prandaj edhe përkrahja e tyre krijon dhe do krijoj efekte pozitive në qeverisje lokale”, tha ai.

Gashi tha se në bazë të mundësive buxhetore do të rrisin mbështetjen financiare për Ministrinë e Administrimit dhe Pushtetit Lokal, si dhe për komunat.

Ambasadori zviceran Jean-Hubert Lebet me këtë rast tha se menjëherë pas luftës Zvicra filloi ndihmën ndaj Kosovës, duke përfshirë disa lloje të ndihmave me ndikim në komuna.

“Sot është një ditë shumë e veçantë ku do të lansojmë së bashku mekanizmin e ri të bashkëpunimit, të ashtuquajturin Grantin e Performancës, i cili synon të stimulojë komunat në fushat e qeverisjes së mirë, menaxhimit komunal, transparencës dhe integritetit. Më konkretisht ne kemi arritur marrëveshje me qeverinë, për të vënë në dispozicion 9 milionë euro për këtë fond, i cili do t’i ndalet komunave që performojnë në bazë të një liste kritere të përcaktuara. Komunat përfituese do t’i shfrytëzojnë këto fonde në mënyrë të lirë, në përputhje me nevojat e tyre për investim, pa pasur shumë përfshirje të donatorëve apo të qeverisë. Shfrytëzimi i viteve do të auditohet në baza vjetore për të vërtetuar se është bërë respektimi i rregullave”, u shpreh ai.

Ndryshe, Kosova është vendi i vetëm në rajon i cili ka një sistem të menaxhimit të performancës, duke rritur në këtë mënyrë llogaridhënia dhe transparenca e punës së komunave. Granti i performancës i implementuar nga Helvetas Demos është projekt, i cili ka filluar në vitin 2017.