Ryusei ka një mesazh për të gjithë personat me aftësi të kufizuara

Ryusei ka një mesazh për të gjithë personat me aftësi të kufizuara

Garat e skejtbordit janë çdo herë më të zakonshme në botë. Në një garë të tillë shpreson të marrë pjesë edhe japonezi Ryusei Ouchi.

Si edhe të gjithë ata që merren me këtë sport, për të arritur deri në fund të terrenit me anë të patinave me rrota, edhe Ryusein e tërheq ndjenja për të arritur suksesin që synon, shkruan rtv21.tv

Ky 19 vjeçar, në moshën 7 vjeçare u diagnostikua me një sëmundje të syve, e cila me kalimin e viteve ia humbi të pamurit, e sot, ai ec me ndihmë të shkopit, pasi që fatkeqësisht është krejtësisht i verbër.

Ky i ri i cili vjen nga qyteti Tokorozawa, në veri të Tokios, me skejtbord filloi të merret kur ishte 15 vjeç, kur nuk kishte humbur akoma krejtësisht të pamurit. E sot, ai ka perfeksionuar këtë sport sa që madje, me patinën me rrota bën truqe edhe me duar.

Kjo aftësi e Ryuseit tani po mahnitë tërë komunitetin e skejtbordëve, e këtë ia mundësuan mediat sociale përmes të cilave ai arriti te audienca mbarëbotërore.

Ryusei në një deklaratë për media ka treguar se në të mësuarit të bërit skejtbord, fillimisht e ndihmuan shoqëria e tij, e për tu bërë i pavarur në këtë sport, iu desh goxha kohë. Mirëpo ai ka thënë se tani në mendjen e tij mban fotografinë se si duket terreni dhe kjo e bën të mësojë edhe truqe me skejtbord.

Ryusei ka një mesazh për të gjithë personat me aftësi të kufizuara. Ai u sugjeron që të mos heqin dorë nga ëndrrat e tyre për shkak të kufizimeve, por t’i ndjekin ato. Si sportist skejtbordi, ai ka thënë se është i verbër, por do të vazhdojë me krenari ta dëshmojë vetën në këtë sport, dhe dëshiron që tregimi i tij të inspirojë edhe persona të tjerë.

Është e qartë se personat me aftësi të kufizuara vazhdimisht kanë probleme para tyre, por kjo nuk do të thotë se nuk mund t’i tejkalojnë ato. Në këto raste, është edhe shoqëria ajo e cila duhet të kuptojë këtë kategori personash”, ka përfunduar 19 vjeçari.

Sporti i skejtbordit do të përfshihet si sport i ri në garat olimpike të radhës në Tokio, por jo edhe në lojërat paraolimpike./21Media