Projekti SMIAL e ka kaluar fazën e pilotimit në disa universitete dhe kolegje 

Projekti SMIAL e ka kaluar fazën e pilotimit në disa universitete dhe kolegje 

Ministria e Arsimit, Shkencës dhe Teknologjisë  ka lansuar  projektin “Sistemi i Menaxhimit të Informatave të Arsimit të Lartë (SMIAL)”, një platformë digjitale moderne, e cila do të ofrojë mundësi të shkëlqyeshme për studentët që të kenë pasqyrë të qartë për ofertat akademike të universiteteve dhe kolegjeve dhe e cila do të vendos rend, rregull dhe transparencë në arsimin e lartë, bëhet e ditur në komunikatë.

Ministri i Arsimit, Shkencës dhe Teknologjisë, Arsim Bajrami ka vlerësuar lartë lansimin e këtij projekti për reformën në arsimin e lartë, si një projekt i cili pretendon  që të implementojë menaxhim efikas dhe modern në arsimin e lartë në Kosovë.

“Është një platformë moderne në të cilën do të kenë akces të gjitha universitetet dhe kolegjet. Kjo platformë pretendon që të ofrojë një pasqyrë të qartë dhe të ofrojë një frymë konkurruese, të barabartë ndërmjet sektorit publik dhe privat. Kjo njëherësh do të jetë edhe një mundësi për maturantët tanë, për të përzgjedhur universitetin apo kolegjin i cili i plotëson kërkesat e tyre për studim”, ka thënë Bajrami.

Sipas tij, kjo platformë digjitale mundëson që universitetet dhe kolegjet të hyjnë në një garë për ofrimin e programeve atraktive sa i përket përmbushjes së kërkesave të rinjve tanë, të cilët dëshirojnë që të kenë studime të avancuara dhe diplomë kredibile, e cila do t’u shërbente që të plasohen lehtë në tregun e punës.

SMIAL, do t’i ndihmojë Ministrisë së Arsimit në hartimin më të mirë të politikave të brendshme, si dhe ta furnizojë me informata në mënyrë që të ketë një harmonizim më të mirë mes Arsimit të Lartë dhe nevojave të tregut të punës.

Ky projekt është mbështetur financiarisht nga Eye (Bank zvicerane) dhe UNDP.

Ndryshe, projekti SMIAL e ka kaluar fazën e pilotimit në Universitetin e Prishtinës “Hasan Prishtina”, Universitetin e Mitrovicës “Isa Boletini”, Kolegjin AAB, UBT dhe Riinvest./21Media