Rrëfejnë tmerrin e përjetuar nga tërmeti

Rrëfejnë tmerrin e përjetuar nga tërmeti

Kosovarët po vazhdojnë të solidarizohen me vëllezërit e tyre nga Shqipëria, të cilët përjetuan rëndë tërmetin e 26 nëntorit, nga i cili humbën jetën 51 persona dhe mbi 900 të tjerë u lënduan, e shumë ndërtesa u kthyen në gërmadha.

Të shumtë janë ata banorë nga Shqipëria të cilëve u janë hapur dyert për strehim në Kosovë. Në Parkun Inovativ në Prizren janë akomoduar mbi 500 persona, ndërsa janë edhe 1500 të tjerë, të cilëve u janë hapur dyert nga pronarët e hoteleve, në shtëpia private dhe shkolla.

Ka dy ditë që Myrvet Veshi së bashku me familjen e tij ka ardhur në Prizren, si shkak i tërmetit 6.4 ballë të Rihterit që goditi Shqipërinë. Ai ka rrëfyer mëngjesin e asaj dite, derisa thotë se kanë parë vdekjen me sy.

“Shumë keq, tërmeti i parë sidomos ka qenë shumë dramatik. Ne jetojmë në katin e dytë, me pak fjalë e kemi parë vdekjen me sy…Ngase nuk kishim përjetuar ndonjëherë ngjarje të tillë, nuk tentonim të dilnim jashtë, vetëm prisnim, duke iu lutur Zotit që të përfundojë, nuk kishim mundësi të dalësh. Ishim në gjumë dhe na zgjuan britmat. Edhe ishte ora 4 e mëngjesit, dhe iu luteshim Zotit që të përfundonte dhe te shpëtojmë të gjallë, nuk kemi bërë asnjë manovrim”, thotë ai.

Për katër ditë me radhë ai tregon se kishin qëndruar me familje në makinë. E për të qetësuar veten dhe familjen, dy ditë më herët ishin nisur për Kosovë. Ai kishte ndaluar te Parku i Inovacionit, ku tashmë po strehohen me qindra banorë të Shqipërisë të evakuuar nga tërmeti. E meqë më nuk ka vend në këtë park, i cili tashmë është kthyer në strehim për personat e prekur nga tërmeti, ai ka gjetur qetësinë te një familje në Prizren.

“Kemi ardhur parmbrëmë me makinën time. Erdhëm këtu, ishte i mbushur, ishin 40 familje, ishte e pamundur të qëndrojmë dhe policia na largoi në një sallë të madhe. Nga andej erdhi dhe na zgjodhi një familje, jemi vendosur pak më larg kampit, në një apartament”, tha ai.

Veshi tregon se në vendin ku kanë jetuar në Durrës, objekti ka pësuar plasaritje. Megjithatë thotë se shumë shpejt do te kthehen në Durrës, që të punojnë, e fëmijët te vijojnë mësimin.

“Unë dua të falënderoj çdo qytetar të Kosovës për sjelljen, dashamirësinë, për pritjen që hapen dyert. Nuk e di si do t’ua shpërblejmë këtë mirësi. Ngelëm shumë të habitur për pritjen e bërë”, tregon ai.

Krahas kësaj, ai tregon se te Parku Inovativ në Prizren, kanë shumë familjarë, derisa shton se është i zhgënjyer me shtetin shqiptar, dhe nuk pret që t’iu ndihmojë pas kësaj tragjedie.

Edhe bashkëshortja e tij, Mynere Veshi thotë se këtu ndihen më mirë, duke shtuar se ardhja e tyre në Kosovë nënkupton largimin nga tmerri.

“E përjetuam shumë keq, aq sa u asfiksuam nga tmerri. Kur zbritëm poshtë menduam se do të qetësohet, por vazhdoi prapë tërmeti. Flinim në makinë, sa erdhëm këtu, na futën brenda. Ndihem shumë më qetë, na duket se u larguam nga tmerri”, rrëfen Mynere Veshi.

Gjatë ditës, kryetari i komunës së Prizrenit, Mytaher Haskuka dhe ai i Lëvizjes Vetëvendosje Albin Kurti kanë vizituar Parkun Inovativ.

Kryetari Haskuka ka thënë se ka ende nevojë për disa gjëra, megjithatë shtoi se ata që duan të ndihmojnë duhet të komunikojnë me koordinatorin e Parkut Inovativ, Faruk Dakaj.

“Në disa raste kemi nevojë për disa gjëra. Për shembull dje i kemi pasur disa donacione dhe i kemi shpërndarë pelena dhe disa gjëra që iu nevojiten grave. Ka pasur nevojë për rroba të brendshme, edhe ato i kemi siguruar. Por nëse dikush ka dëshirë që të ndihmojë është mirë që të thërrasë koordinatorin e kampit, ai e ka listën se çfarë duhet, e çfarë jo. Në disa raste protagonizmi i tepërt i njerëzve po ndikon negativisht, pasi ne nuk kemi pasur nevojë për disa gjëra që kanë ardhur dhe tash po shkaktojnë telashe edhe për t’i ruajtur”, tha Haskuka.

Në ish-kampin ushtarak të KFOR-it, tash të shndërruar në Parkun Inovativ, janë të strehuar mbi 500 persona, derisa nuk ka kapacitet për të tjerë. Megjithatë, prizrenasit kanë hapur dyert për një numër të madh të banorëve të Shqipërisë që kanë ardhur në Kosovë.

“Sipas regjistrimeve dhe familjeve që e tani më që janë regjistruar, janë rreth 2 mijë persona në shtëpi private, hotele. Kemi në gjimnaz, i cili nuk plotëson kriteret, kisha apeluar te qeveria që të na i gjej një vend më adekuat për këta 100 persona që janë në sallën e gjimnazit. Aty mendoj që nuk janë kushtet elementare, nuk ka shtretër dhe nuk ka banjë adekuate”, deklaron Haskuka.

Që prej mëngjesit të martës Shqipëria është goditur nga disa tërmete, ku njëri prej tyre shkaktoi shumë dëme materiale në Durrës dhe Thumanë, duke marrë jetën e 50 personave dhe mbi 900 janë të lënduar.

Ndryshe, tërmetet kanë vazhduar edhe gjatë ditës së sotme, ndërkohë që autoritetet shqiptare kanë paralajmëruar më herët se do të ndërtohen shtëpitë e të gjithë atyre që janë shkatërruar.