2018 vlerësohet si viti më sfidues për mjedrën

“Kultivimi i mjedrës në Kosovë ka zhvilluar ekonominë”

Shoqata “Mjedra e Kosovës” ka mbajtur konferencën e tretë, në të cilën u tha se ky vit ka shënuar rënie për kultivuesit e mjedrës.

Kryetari i shoqatës “Mjedra e Kosovës”, Sami Uka e quajti si vitin më sfidues për ta por, njëherësh edhe për kultivuesit e tjerë të mjedrës në vendet e tjera të botës. Një nga sfidat kryesore për kultivuesit e mjedrës, sipas tij është edhe çmimi i ulët.

“Çështja e mjedrës në të vërtetë ka qenë një vit sfidues për shumë arsye sepse kushtet klimatike kanë qenë jashtëzakonisht të pafavorshme për mjedrën, po ashtu çmimi ka qenë shumë i ulët dhe të ardhurat e fermerëve kanë qenë në minimum, prandaj me të vërtetë ka qenë një sifdë e madhe për kultivuesit e mjedrës”, tha Uka.

Ndërsa, zëvendësministri i Bujqësisë, Mevludin Krasniqi tha se kultivimi i mjedrës në Kosovë ka zhvilluar ekonominë ka hapur vende pune si dhe ka shtuar eksportin. Krasniqi po ashtu ofroi përkrahje për fermerët që kultivojnë pemët e imëta.

“Ministria e Bujqësisë në bashkëpunim me USAID do të financojë projektin për mbështetjen e programit për zhvillimit bujqësor dhe mundësitë rurale në Kosovë Zinxhiri i vlerave të pemëve të imëta, ku përfshihen dredhëzat, mjedrat dhe boronicat, dhe Zinxhirin e vlerave të bimëve mjekësore dhe aromatike, ku përfshihen frutat dhe bimët e egra të kultivuara në kushte organike dhe kanë tregje dhe eksporte të reazlizueshme. Sasia totale, gjerësisht granti që bashkëfinancojmë me USAID-in është tre milionë euro”, tha Krasniqi.

Kurse, drejtoresha e misionit të USAID-it në Kosovë, Lisa Magno ndër të tjerash përmendi se para pesë viteve Kosova nuk eksportonte mjedra. Ajo tha se gjendja ka ndryshuar për të mirë falë punës së fermerëve dhe bashkëpunimit të tyre me institucione të ndryshme.

“Ne  po ashtu kemi mbështetur lidhjet mes fermerëve dhe tregtarëve dhe shitësve me pakicë, eksportuesve, pra e kemi pasur parasysh këtë zinxhir të vlerave. Gjithashtu kemi ndihmuar fermerët që të certifikohen, dhe kjo ua ka rritur potencialin për t’i eksportuar produktet e tyre”, tha Magno.

Të pranishëm ishin edhe përfaqësues të donatorëve nga Caritas-i dhe GIZ-i gjerman në Kosovë.

Drejtoresha e Caritas-it për Kosovë, Vera Haag Arbenz tha se Cartas-i zviceran do të vazhdojë ta mbështesë kultivimin e pemëve të imëta në Kosovë, e sidomos atë të mjedrës.

Kurse, menaxherja e projekteve në GIZ, Ottilie Mooshofer tha se kjo organizatë është impresionuar me performëncën dhe punën e kultivuesve të mjedrës. Ajo inkurajoi fermerët që të vazhdojnë me këtë punë dhe premtoi përkrahje nga organizata të cilën përfaqëson.

Po ashtu, gjatë prezentimeve u njoftua që pritet të rritet çmimi i mjedrës për 35%, në mënyrë që edhe kultivuesit e mjedrës të stimulohen. Përndryshe, u vlerësua se në Kosovë aktualisht janë rreth 2000 hektarë tokë ku kultivohen mjedra, e po ashtu rreth 4000 fermerë të mjedrës në rajone të ndryshme të Kosovës.

Back to top button