Filloi edicioni i  74-të ndërkombëtar i filmit në Venedik

Filloi edicioni i  74-të ndërkombëtar i filmit në Venedik

“Downsizing” është filmi i cili mbrëmë hapi edicionin e 74-të vjetor ndërkombëtar të filmit në Venedik të Italisë. Regjinë dhe skenarin e këtij filmi e ka bërë Alexander Payne.

Vlen veçuar se hapjen solemne të kësaj ngjarjeje madhështore, dhe prezantimin e filmit hapës të ceremonisë e bëri presidenti Italian, Sergio Mattarella.

Filmi “Downsizing”, është satire ku paraqitet zvogëlimi i njerëzve deri në 12 cm gjatësi, që vjen si pasojë e mbipopullimit të Tokës me njerëz, por edhe ngrohjes globale, shkruan rtv21.tv

Me këtë rast, aktorët kryesor që luajnë në filmin “Downsizing”, Matt Damon, Kristen Wiig e Hong Chao, u mirëpritën me një duartrokitje të ngrohtë.

Në ceremoninë hapëse të festivalit të 74-të vjetor të filmit në Venedik ishin të pranishëm edhe anëtarët e jurisë në krye me aktoren Annette Bening.

Bening para të pranishmëve ka thënë se ajo bashkë me anëtarët e jurisë, do të punojnë me plot pasion e entuziazëm për të vlerësuar filmat në kategori të caktuara, në veçanti filmin konkurrent në garën për Luanin e Artë.

Në garën për çmimin Luani i Artë këtë vit në Venedik janë 21 filma, në mesin e tyre edhe filmi “Downsizing”.

Edicioni i sivjetmë i ndarjes së çmimeve për film në Venedik do të përmbyllet me datën 9 shtator 2017, me shpalljen e fituesve./21Media