23 mijë euro mëditje harxhoi Kuvendi për staf të administratës

Raporti i shpenzimeve për tre muajt e parë të vitit 2018

Komisioni për Buxhet dhe Financa, ka shqyrtuar raportin e shpenzimeve të Kuvendit të Kosovës, për tremujorin e parë të vitit 2018.

Kryetari i Komisionit, Lumir Abdixhiku kërkoi sqarim nga Kuvendi se pse janë shpenzuar 25 mijë euro subvencione për entitete publike si dhe mëditje për udhëtime zyrtare. “Çka ka subvencionuar Kuvendi per tre muaj në shumë prej 25 mijë euro. Udhëtimet zyrtare deputetët 21 mijë euro shpenzimet e mëditjeve për tre muaj. Ndërkaq mëditjet e stafit të administratës së Kuvendit janë 23 mijë euro. Si është e mundur kjo? Të reduktojme ekipet e mëdha që mos te duken si ekskursion në udhëtimet jashtë vendit”, tha Abdixhiku.

Ndërsa kërkoi nga sekretari i Kuvendit ta dijë se sa është numri i këshilltarëve të kryetarit të Kuvendit, sa janë shpenzimet dhe pagat e tyre.

Sekretari i Kuvendit Ismet Krasniqi tha se kryetari i Kuvendit ka 14 këshilltarë, të cilët marrin paga nga 1040 dhe 1070 euro.

Edhe deputeti i LDK së Naser Osmani kërkoi sqarim se pse disa shpenzime të Kuvendit janë bërë vetëm tek dy restorante. “Disa shpenzime janë bërë kryesisht të një apo dy restorante. S’ka gjasa me u bë takim zyrtar për nevoja të Kuvendit në atë restoran. Ai është në skej të Kosovës që shkojnë për qejf. Restorani Kuk në Brod”, tha Osmani i LDK-së.

E kryetari i komisionit Abdixhiku pati kritika në adresë të Kuvendit dhe sa i përket shpenzimeve për dreka, të cilat sipas tij arrijnë shumen prej 250 euro në ditë. “Ka 250 euro ditë në drekë shpenzon Kuvendi. Si është e mundur që Kuvendi han në ditë 250 euro drekë?. Ky është shpërdorim shumë i madh”, tha Abdixhiku.

Back to top button