Zjarret rreth Athinës po vazhdojnë për të dytën ditë, numri i të lënduarve ka shkuar në 150, 11 prej të cilëve ndodhen në gjendje të rëndë

Zjarret rreth Athinës po vazhdojnë për të dytën ditë, numri i të lënduarve ka shkuar në 150, 11 prej të cilëve ndodhen në gjendje të rëndë

24 persona kanë humbur jetën nga zjarret rreth Athinës, siç u deklarua zyrtarisht sot në orën 07:30 të mëngjesit. Trupat e fundit të pajetë u nxorën nga deti, deri dhe 4 milje nga brigjet e Rafinas, në orët e para të këtij mëngjesi.

Ndërkohë, dyshohet se bilanci përfundimtar do të përfshijë më shumë të vdekur, pasi pranë shërbimeve përkatëse janë bërë dhjetra telefonata nga të afërm për të deklaruar persona të zhdukur.

Gjithë viktimat janë gjetur në zonën ndërmjet Rafinas dhe Nea Makrit, posaçërisht në Mati dhe Kokkino Limanaki.

Ata ishin bllokuar për shkak të flakëve në banesa apo makina, apo u përpoqën të largohen nëpërmjet detit, ku u mbytën. Raportohet se shumë prej viktimave janë fëmijë, mes të cilëve dhe një foshnje 6 muajshe, raporton Oranews

Nga të dhënat e deritanishme, numri i të lënduarve ka shkuar në 150, 11 prej të cilëve ndodhen në gjendje të rëndë. Mes të lënduarve janë edhe 16 fëmijë, me djegie apo lëndime të tjera.

Me agimin e ditës forcat ajrore kanë nisur sërish operacionit. Qeveria shpalli gjendjen e jashtëzakonshme në Atikën Perëndimore dhe atë lindore, ndërkohë që ka kërkuar edhe ndihmën e Mekanizmit Europian të Mbrojtjes Civile, që u përgjigj menjëherë.

Avionë zjarrfikës nga Spanja dhe efektiva nga Qipro pritet t’u bashkohen operacioneve.

Ndërkohë, presidenca e Republikës njoftoi se anullohet pritja e sotme që jepet tradicionalisht çdo 24 korrik, me rastin e vendosjes së Demokracisë në Greqi.