24 vjeçari kosovar që punon në NASA themeloi kompani

“Dëshira e tij që t’i ndihmojë vendit, që të zhvillojë projekte për ministri të ndryshme në Kosovë më ka shtyrë më shumë të jem pjesë e ekipës”

Muajt që lamë pas, në media ka marrë jehonë lajmi se 24 vjeçari kosovar, Xhafer Rama është punësuar si inxhinier në NASA (National Aeronautics and Space Administration). 24 vjeçari nga Podujeva në një intervistë eksluzive për rtv21.tv kishte thënë që nuk do të ndalet dhe se e ka në plan që të kontribuojë edhe për vendlindjen e tij. Ai kishte premtuar që do të kontribuojë për vendin e tij, Kosovën, duke nxitur klientë ndërkombëtarë si dhe duke i motivuar të rinjtë kosovarë për të shprehur talentin e tyre.

Tani, një muaj pas premtimit, ai ka finalizuar një projekt. Xhafer Rama së fundmi ka lansuar një kompani softwerike, që quhet REINVENT, e cila ka për qëllim mbështetjen e bizneseve në Kosovë, duke përdorur teknologjitë më bashkohore. Ai këtë kompani softwerike e ka themeluar së bashku me të riun kosovar, Arjant Topanicën, shkruan rtv21.tv

24 vjeçari që punon në NASA, në një intervistë për rtv21.tv theksoi se objektiv i tyre është të punësojnë njerëz, që kanë prirje për programim dhe fusha tjera të teknologjisë. “Gjithmonë ne do ta fuqizojmë rolin e femrës në fushën e programimit, ku do të punësojmë jo vetëm djemë të rinj, por edhe vajza. Fillimisht kemi punësuar katër (4) të rinj -3 djemë dhe një vajzë – prej regjionit të Prishtinës dhe Podujevës”, tregoi ai ekskluzivisht për rtv21.tv, duke shtuar se synimet e tyre nuk do të ndalen këtu, në promovimin e aftësive të të rinjve kosovarë. “Ne pretendojmë që mbrenda një periudhe të shkurtë të operimit, klientela jonë të zgjerohet dhe të përfshijë biznese nga e mbarë bota. Në këtë mënyrë, ne do të promovojmë aftësite e të rinjëve tonë dhe do të sjellim përfitime në të gjitha format, për vendin tonë!”, tregoi ai.

Ndërsa, Aid Muliqi, i cili punon si “software developer” në REINVENT u shpreh se misioni i kësaj kompanie si dhe dëshira e Xhafer Ramës, që t’i ndihmojë vendit të tij e ka shtyrë që të jetë pjesë e e kësaj kompanie.

“Kam vendosur të bëhem pjesë e kompanisë REINVENT për arsye se planprogrami i kompanisë dhe misioni që ka për të ardhmen më është përshtatur shumë mua dhe vizionit tim që kam për të ardhmen dhe besoj që të jesh pjesë e Reinvent është privilegj, jam i kënaqur me punën dhe me stafin. Pronari i kopmanisë, pra Xhafer Rama ka përfunduar me sukses tri departamente të studimit njekohësisht dhe ka disa projekte të zhvilluara deri tani dhe që përdoren në disa vende të botës. Dëshira e tij që t’i ndihmoj vendit të vet, dmth Kosovës që të zhvillojë projekte për ministri të ndryshme në Kosovë më ka shtyrë më shumë të jem pjesë e ekipës dhe të punësojë të rinjë, të cilët janë entuziast të teknologjisë, posaçërisht programimit”, tha Muliqi për rtv21.tv

Ai më tutje theksoi vizionin e kompanisë ku tashmë punon, duke shtuar se është shumë i kënaqur me punën që bënë si software developer, ku po mëson shumë gjëra interesante. “Misioni dhe vizioni i kompanisë Reinvent është që të ketë ndikim ndërkombëtar me projekte gjigante që janë duke u zhvilluar për disa platforma, kompani dhe departamente të ndryshme. Jam shumë i kënaqur me punën që bëjë si software developer në Reinvent, jam duke mësuar shumë gjëra së bashku me ekipën që kemi. Ambiciet e mia janë që të arrijë sa më lart në fushën e programimit, duke mësuar gjuhë, framework dhe librari te ndryshme, pasi që fusha e programimit është det pa fund”, shtoi më tutje Muliqi.

Ndërkaq, Xhafer Rama shpjegoi se REINVENT ka filluar si rezultat i nevojës për të ndihmuar bizneset në rritjen e tyre përmes teknologjisë. “Kompania ka për qëllim mbështetjen e bizneseve në Kosovë, duke përdorur teknologjitë më bashkohore, pothuajse e njëjta që po përdoret në SHBA. Shërbimet që ne i ofrojmë janë zhvillimi dhe menaxhimi i webave dhe applikacioneve telefonike, fuqizimi i kompanive në mediat shoqërore, dizajn të logove dhe gjërave që ju nevojiten bizneseve. Përveç kësaj, na ofrojmë krijim dhe menaxhim të databazave, dashboard, ku e përcjellim sjelljen dhe ecurinë e të ardhurave të një biznesi, aplikacione me harta dhe të dhëna gjeohapsinore që ju nevojiten shumë hotilerive dhe kompanive të sigurimit. Ne punojmë me restorante, hotele, kompani të ndërtimit, të sigurimeve, të prodhimit dhe kompani tregtare”, u shpreh më tutje Rama.

Xhafer Rama është me prejardhje nga fshati Turuçicë i komunës së Podujevës. Shkollën fillore e ka kryer në Orllan, të mesmen në “Prishtina High School” në Prishtinë, ndërsa studimet i ka vazhduar në SHBA, ku në “Bera Collage” në Ketucky të Amerikës si student i dalluar ka përfunduar tri drejtime (matematikë, shkenca  kompjuterike dhe ekonomi) brenda katër vjetëve. Ai tani jeton në Washington, ku aktualisht karrierën po e vazhdon, duke punuar për shumë kompani, në mesin e të cilave është edhe puna si inxhinier në NASA./21Media

Back to top button