Për 10 vitet e ardhshme ai do ta prezantojë punën e tij në këtë bankë

Për 10 vitet e ardhshme ai do ta prezantojë punën e tij në këtë bankë

Piktori i njohur nga Kosova, Mentor Ejupi, i njohur me emrin artistik Toro,  do të prezantojë ekspozitën e radhës në bankën prestigjioze gjermane.

Artisti jeton dhe  vepron në Hamburg të Gjermanisë për  më shumë se 20 vjet.

Prezantimi i ekspozitës së tij të titulluar “25” në bankën gjermane të Hamburgut HASPA,  erdhi pas kërkesës së tyre me rastin e renovimit.

Për dhjetë vitet e ardhshme në hapësirat e kësaj banke prestigjioze do të prezantohen punët e Mentorit, si njohje e punës 25 vjeçare të tij në këtë qytet.

Kjo ekspozitë do të hapet më 24 shtator dhe do të qëndrojë e hapur deri në fund të shtatorit. Realizimi i pikturave do të bëhet me mediumin vaj në kanavec, që tregojnë udhëtimin e tij gjatë këtyre 25 viteve të fundit.

“Gjatë punës time të fundit unë ndjeva nevojën për të sfiduar botën e korporatave. Riprodhimi i serive të hershme të pikturave të mia është një reagim i radhës, koleksionisti është konsumatori i përditshëm, por kurrë nuk është ekskluziv. Korporata u bë forca më e fuqishme e manipulimit me vendimet tona të jetës. Andaj unë pranova të bashkëpunoj me këtë korporatë gjigande duke mos u koncentruar në jetën e përditshme porse unë jam i përqendruar që punën time ta shohin të gjithë, si dhe udhëheqësit e korporatave”, ka thënë artisti.

Mentor Ejupi, njihet për ekspozita të tij jashtë vendit, ku ka përfaqësuar denjësisht Kosovën.

Ekspozita e tij kushtuar Nënës Terezë “The Year of White Spirit”, shfaq kontributin e saj që kudo fali shpirtin për të ndihmuar të varfërit edhe kurrë nuk harroi vendlindjen e saj.

Po ashtu ai kishte konceptuar një ekspozitë me artin si një shfaqje “e udhëtarëve të bukur dhe të së bukurës”. Me këtë eveniment kulturor ai kishte treguar për padrejtësinë politike që e vuan Kosova, që është në izolim pothuajse hermetik nga pjesa tjetër e Europës./21Media