Sulmi ka ndodhur në Somali

Sulmi ka ndodhur në Somali

Një sulm vetëvrasës në shtetin afrikanolindor të Somalisë ka lënë të paktën 26 persona të vrarë dhe mbi 50 të tjerë të plagosur. Sulmi i marrë përsipër nga grupi islamik “Al-Shababi” ndodhi ndërkohë që politikanë dhe përfaqësues të rajonit diskutonin për zgjedhje të reja në vend.

Të paktën 26 persona, mes tyre një gazetar dhe politikan, janë vrarë gjatë një sulmi kamikaz në Somali.

Një makinë e mbushur me eksplozivë u përplas me fasadën e një hoteli ku politikanët dhe kryepleqtë po diskutonin për zgjedhjet e ardhshme rajonale.

Shpërthimin e fuqishëm e pasoi mësymja e katër personave të armatosur rëndë, të cilët mbetën të vrarë gjatë shkëmbimit të zjarrit me trupat policore.

Sulmi la të vdekur kalimtarë të thjeshtë, një politikan lokal, shtetas kenianë, tanzanianë, amerikanë, britanikë, si edhe një gazetare të famshme kanadezo-somaleze dhe bashkëshortin e saj. 50 persona të tjerë mbetën të plagosur, përcjell rtv21.tv

Grupi fundamentalist, al-Shabab, mori pësipër sulmin. Militantët islamikë të lidhur me al-Kaedën veprojnë në Somalinë rurale dhe ndërmarrin shpesh sulme vetëvrasëse edhe në kryeqytetin somalez të Mogadishos. Objektivi i tyre mësohet se është transformimi i Somalisë në një shtet fundamentalist islamik ku ligji i shariatit të zbatohet në nivel qeverie.

Shtetet e Bashkuara prej kohësh kanë instaluar në vend mbi 500 operativë amerikanë të cilët vazhdimisht zhvillojnë fushata sulmesh nga ajri kundër kampeve dhe vendqëndrimeve të grupit antiqeveritar islamik./21Media