Liderët evropianë janë mbledhur në Sofje për samitin e Bashkimit Evropian

Liderët evropianë janë mbledhur në Sofje për samitin e Bashkimit Evropian

Samiti i Sofjes do të mbahet nesër ku do të marrin pjesë 38 vende të Bashkimit Evropian si dhe 6 vende të Ballkanit Perëndimor.

Delegacioni i Kosovës i udhëhequr nga presidenti Hashim Thaçi ka mbërritur në Sofje, duke e cilësuar pjesëmarrjen e Kosovës si shumë të rëndësishme në këtë Samit.

Thaçi në një konferencë për media e quajti pjesëmarrjen e Kosovës si historike, në këtë samit ku Kosova trajtohet barabartë me të gjitha vendet pjesëmarrëse.

Sipas presidentit hapat që po i bën Kosova janë shumë të sigurt e progresiv, duke treguar se jemi një shtet stabil.

Në samit Thaçi tregon se do të bëhet e ditur se Kosova është e gatshme për fazën përfundimtare dhe historike për procesin e normalizimit të raporteve mes Kosovës dhe Serbisë, duke shtuar edhe një herë se njohja reciproke është e vetmja rrugë, shkruan rtv21.tv.

Në anën tjetër, kryeministri i Kosovës, Ramush Haradinaj, i cili gjithashtu është pjesë e delegacionit të Kosovës në Sofje, deklaroi se Kosova do të përfaqësohet në samit si çdo shtet tjetër.

Raporti i progresit sipas kryeministrit i ka bërë palë në samitin e Sofjes, e tani synim është procesi integrues në BE, por fokusi kryesor qëndron tek liberalizimi i vizave, duke i siguruar Evropën se Kosova nuk do të sjellë krim e refugjatë, por vetëm shkëmbime .

Presidenti Thaçi ka pasur një takim të shkurtër me përfaqësuesen e lartë të BE-së për politikë dhe siguri Federica Mogherini, ku është diskutuar për marrëdhëniet e Kosovës me Serbinë. Thaçi pas takimit ka deklaruar se shumë shpejtë do të arrihet marrëveshja e obliguar mes Kosovës dhe Serbisë.

Në një konferencë për media pas bisedës me Mogherinin, presidenti Thaçi deklaroi se procesi i normalizimit të raporteve me Serbinë nuk do të jetë i lehtë për Kosovën, por Kosova ashtu si edhe Serbia me nënshkrimin e një marrëveshjeje obligative, do të jenë pjesë e familjes evropiane.

Thaçi është i bindur se ky proces do të përmbyllet me një konkluzion “Win-Win”, ku edhe Kosova edhe Serbia do të dalin fitues.

Për pjesëmarrjen e Kosovës kundër ishin 5 vendet e Bashkimit Evropian që nuk kanë njohur Kosovën, e ato janë: Qipro, Greqia, Rumania, Sllovakia dhe Spanja, e kjo e fundit nuk ka dërguar kryeministrin për t’u paraqitur në samit, por një përfaqësues të nivelit më të ulët./21Media