Paralajmërohen investime të reja

Paralajmërohen investime të reja

Ministria e Kulturës, Rinisë dhe Sportit ka nënshkruar dhjetë memorandume me Komunën e Prizrenit, të cilat i nënshkruan ministri Kujtim Gashi dhe kryetari Mytaher Haskuka, në vlerë totale prej 3 milionë e 670 mijë euro, por gjithashtu do të investohen edhe 3 milionë për trashëgimi në këtë qytet.

Ministri Gashi ka thënë se projektet në të cilat do të investojë MKRS-ja janë mbështetje në kuadër të politikave dhe programit të ministrisë dhe se pret që pas realizimit të projekteve do të krijohen mundësi të jashtëzakonshme për qytetarët, ashtu që ata ta kenë më të lehtë t’i kryejnë aktivitetet kulturore e sportive.

Ministri ka sqaruar se një pjesë e vogël e projekteve janë vazhdimësi e viteve të kaluara, ndërsa pjesa më e madhe e projekteve janë projekte të reja që MKRS-ja do të investojë në Prizren.

“Është një shumë 3.5 milionë euro projekte që janë fokusuar te pjesa e sportit pa e llogarit pjesën tjetër 3 milionë tek trashëgimia kulturore. Pra, ministria është e fokusuar në investimet në fushën e trashëgimisë kulturore në qytetin e Prizrenit, meqenëse është qytet që ngërthen në vete një pjesë të madhe të monumenteve dhe të aseteve”, është shprehur ministri.

Ai ka shfrytëzuar këtë mundësi për të kërkuar përkushtim më të madh prej komunës te projektet e reja.

“Ne kemi projekt të përbashkët me UEFA-n, kemi edhe 12 stadiumet ndihmese dhe aktualisht Prizreni nuk ka një hapësirë të cilën do të na e siguronte për fillimin e ndërtimit të këtij projekti, pra për të pasur edhe një stadium ndihmës në qytetin e Prizrenit, megjithatë jemi dakorduar që mundësia për një stadium ndihmës të jetë në Gjonaj, meqë edhe aty kemi një klub aktiv dhe kemi një hapësirë, por për momentin është ende e kontestuar si pronë. Po ashtu, e njoftova që për disa ditë do kemi edhe stadiumin ndihmës në Boka, investim i MKRS-së”, ka sqaruar tutje ministri Gashi.

Ministri ka paralajmëruar se do të vizitoi edhe stadiumin e qytetit dhe pishinën olimpike ku po kryhen punimet për të inspektuar ato dhe për të biseduar me operatorët për intensifikimin e punës pasi që mjetet janë të siguruara qysh nga viti i kaluar.

Ndërsa, kryetari Haskuka ka shprehur falënderimin për mbështetjen nga ana e MKRS-së dhe e ministrit Gashi për projektet në fjalë.

Haskuka ka thënë se nga marrveshjet e nënshkruara, ka edhe të atilla që kanë nis në vitin që shkoi, por shumica janë për projekte të reja.

Ne kemi edhe projekte me Ministrinë e Kulturës, diskutuam edhe për projekte në Prizren. E falënderoi për gatishmërinë dhe bashkëpunimin që e kemi në të gjitha këto projekte dhe besoj që me këto investime Prizreni do të bëhet qytet i kulturës dhe sportit “, ka thënë ai.

Ai ka deklaruar se mbetet për t’u punuar me çështjen e hapësirave se ku do të realizohen këto projekte.

Ministri e ka njoftuar kryetarin Haskuka që ministria ka marrë vendim që në qytetin e Prizrenit t’i ngritët shtatorja e kongresmenit Eliot Engell.

Deri më tani Ministria e Kulturës, Rinisë dhe Sportit, për këtë vit ka investuar qindra mijëra euro në projekte të trashëgimisë, me theks rehabilitimi dhe restaurimi i objekteve në rrugën “Marin Barleti” në Prizren.

Projektet në të cilat MKRS-ja do të investojë janë “Pishina Olimpike, Prizren” 1 milion e 350 mijë euro për tri vite; “Ndërtimi i Stadiumit në Zhur, Prizren” 1 milion euro për tri vite; “Stadiumi Përparim Thaqi, Prizren” 840 mijë euro; “Fusha Sportive në Lubinjë të Epërme – Prizren” 120 mijë euro; “Stadiumi i fshatit Gjonaj – Prizren” 100 mijë euro; “Poligoni Sportiv në Mushnikovë – Prizren”, 60 mijë euro; “Ndërtimi i Qendrës Kulturore në Novo Selo në Prizren” 50 mijë euro; “Ndërtimi i Qendrës Kulturore në Pauske në Prizren” 50 mijë euro; “Ndërtimi i Qendrës Kulturore në Skorrobisht në Prizren” 50 mijë euro; dhe “Kompleksi sportiv “11 Marsi”, Prizren” 50 mijë euro.