12 mijë fëmijë janë vrarë apo gjymtuar në zonat e konfliktit vitin e kaluar

12 mijë fëmijë janë vrarë apo gjymtuar në zonat e konfliktit vitin e kaluar

Agjencia e Kombeve të Bashkuara për fëmijë, UNICEF, ka vendosur 3,758 çanta shkollore afër ndërtesës së saj në New York , për t’i rikujtuar fëmijët që kanë vdekur në “zonat e konfliktit” vitin e kaluar.

UNICEF në raportin e fundit ka deklaruar se më shumë se 12 mijë fëmijë janë vrarë apo gjymtuar në zonat e konfliktit vitin e kaluar, duke shënuar kështu numrin më të madh të të vdekurve prej kur OKB-ja ka nisur të analizojë të dhënat.

“Çantat e UNICEF-it kanë qenë gjithmonë simbol i shpresës dhe mundësisë për fëmijëri”, ka thënë shefja ekzekutive e organizatës për fëmijë, Henrietta Fore.

Sipas të dhënave të agjencisë ndërkombëtare, një në katër fëmijë jeton në shtetet e prekura nga konflikti apo katastrofat tjera.

“Më 2018, rreth 31 milionë fëmijë janë detyruar të largohen me forcë nga shtëpitë e tyre për shkak të konfliktit, duke përfshirë 13 milionë refugjatë dhe më shumë se 17 milionë brenda shtetit të tyre”, ka raportuar OKB-ja.

Në Ukrainë, ku konflikti i armatosur ka hyrë në vitin e gjashtë në mes të forcave të përkrahura nga Rusia dhe ushtarëve ukrainas, besohet se janë “500,000 fëmijë që kanë nevojë urgjente për mbrojtje dhe ndihmë humanitare”.

OKB-ja ka thënë se fëmijët janë duke paguar çmimin më të lartë të dhunës në konfliktet e vazhdueshme në Afganistan, Somali, Sudanin Jugor, Siri, Jemen dhe vende tjera.