30 persona nga Obiliqi përfitojnë pajisje për nisje dhe rritje të bizneseve

Projekti u financua nga Qeveria gjermane

Është nënshkruar marrëveshje me klientët e përzgjedhur në komunën e Obiliqit, për projektin “Mbështetja e stabilitetit socio-ekonomik në rajonin e Ballkanit Perëndimor 2019-2020”.

Projekti u financua nga Qeveria gjermane, ku bë e ditur se janë 30 përfitues nga komuna e Obiliqit.

Kryetari i Obiliqit, Xhafer Gashi uroi 30 përfituesit e përzgjedhur. Ai tha se me ligjin për Obiliqin po krijohen mundësitë e reja për përkrahjen e bizneseve dhe ndërmarrësve përmes Ligjit për Obiliqin. “Edhe ne si komunë me pjesën e bashkëfinancimit do të vazhdojmë, fat i mirë që edhe ligji për Obiliqin ka krijuar mundësi të reja në aspektin financiar dhe shpresojmë që bizneset e reja, bizneset fillestare do të jenë në fokus në të ardhmen, përveç çështjeve të tjera që i rrethojnë qytetarët tanë“, tha Gashi.

Ai tha që shpreson që bashkëpunimi me organizatën “HELP” të vazhdojë edhe në te ardhmen.

Shqipe Breznica, udhëheqëse e projektit gjerman për territorin e Kosovës, tregoi qëllimin e këtij projekti ku tha që synojnë gjenerimin e vendeve të reja të punës.”Fondet i marrim prej qeverisë gjermane, saktësisht Ministrisë së Punëve e të Jashtme gjermane, me idenë e vetme me u mundësuar qytetarëve të Kosovës me u marrë me ndërmarrësi, me qëndruar në Kosovë e mos me shkuar në Gjermani. Ky projekt ka filluar në fazën kur ka pasur fluks te madh të refugjatëve, në 2014-15, ne deri tash kemi dhënë 1200 grante, kemi punuar më 23 komuna partnere, përfshi edhe veriun“, tha ajo.

Komuna e Obiliqit është bashkëfinancuese e projektit ku kanë kaluar 30 përfitues. Përmes këtij projekti ofrohen pajisje në mënyrë që përfituesit të mund të fillojnë apo rrisin bizneset e tyre. Projekti që është bashkëfinancim mes komunës së Obiliqit dhe organizatës “HELP”, ka vlerën mesatare të një granti 2,000.00 euro në formë të pajisjeve.

Back to top button