33% e qytetarëve janë të varfër!

Shtresa e mesme drejt rrënimit

Në hulumtimin e institutit Finance Think për shkallën e varfërisë, 33% e qytetarëve në Maqedoni kanë deklaruar se jetojnë në varfëri, që është përqindje shumë më e madhe nga të dhënat e Institutit Shtetëror për Statistikë të cilat merren si të dhëna zyrtare ku thuhet se në varfëri jetojnë 21.9% e qytetarëve. Përgjigjet të cilat i kanë marrë për klasën e mesme, për institutin kanë qenë të pritshme, thotë për TV21 Bllagica Petrevski. Diku rreth 65% nga të anketuarit janë shprehur se bëjnë pjesë në këtë kategori të qytetarëve, këtu hyjnë ata qytetarë të cilët marrin paga të rregullta, shkojnë në pushim vjetor dhe posedojnë makinë.

“Faktor shpjegues është ajo që varfëria është një problem multi-dimenzional, dhe nuk është vetëm problem i lidhur me të ardhurat, pasi që ka mundësi që qytetarët mos të kenë probleme me të ardhurat por në qoftë se kanë probleme shëndetësore dhe jetojnë në kushte të këqija ose tani që kemi të rinj të cilët jetojnë në shoqëri prej të cilave nuk mund të largohen, ata veten e llogarisin si të varfër”, u shpreh Bllagica Petreski, nga Finance Think, raporton Tv21.tv

Nga ana tjetër, vetëm 2% e të anketuarve janë deklaruar si të pasur, rastësisht ose jo, këtë shkallë të personave të pasur në vend i publikoi Ministria e Financave e cila deklaroi se dy për qind e qytetarëve në vend marrin pagë neto prej mbi 60 mijë denarëve.

“Tek qytetarët e varfër, ata të cilët perceptohen si të varfër, numri më i madh prej tyre ose 64% mendojnë se qeveria është përgjegjëse për gjendjen e tyre, ndërsa vetëm një pjesë e vogël e tyre mendojnë se ata personalisht janë përgjegjës për gjendjen në të cilën gjenden. Nga ana tjetër të pasurit, arritjet e tyre i shohin si arritje personale ose të ndonjë anëtari të familjes së tyre dhe askush nuk mendon se qeveria është përgjegjëse për atë që ata janë të pasur”, shtoi ajo.

Gjatë disa viteve të fundit shkalla e varfërisë dhe papunësisë në vend ka pasur ulje të lirë. Qeveria e kaluar në krye me VMRO-DPMNE-në lëvdohej se kjo ndodh kështu për shkak të masave për punësim dhe numrit të madh të investimeve të huaja të cilat janë futur në Maqedoni. Nga ana tjetër qeveria e tanishme ose opozita e atëhershme nuk pajtohej me ato konstatime dhe deklaronte se qytetarët jetojnë nën standardet primare jetësore. Të dhënat me të cilat ata dilnin në konferenca për shtyp ishin se pothuajse gjysmë milion e qytetarëve të Maqedonisë mund t’ia lejojnë vetes vetëm një vakt ushqimi, ndërsa ditën e kalojnë me më pak se 100 denarë./21Media

Back to top button