Hamza: Buxheti do të jetë në funksion të zhvillimit ekonomik

Hamza: Buxheti do të jetë në funksion të zhvillimit ekonomik

Buxheti është pasqyrë sistematike financiare e të hyrave dhe shpenzimeve të shtetit për një periudhë të caktuar, përkatësisht për një vit buxhetor.

Buxheti i shtetit është instrumenti financiar kryesor për zbatimin e politikave ekonomike dhe sociale të shtetit dhe si i tillë buxheti nacional i secilit vend është shuma e ndarë nga Qeveria për organizatat buxhetore publike.

Qeveria i planifikon shpenzimet e saj varësisht nga të hyrat që ka në dispozicion. Qeveria planifikon se sa nga të hyrat e saj do të shpenzohen për nevoja të ndryshme të shtetit, si për arsim, shëndetësi, pensione, zbutje të varfërisë, rritjen e mirëqenies së qytetarëve, investime kapitale, zhvillimin e ekonomisë etj.

Në vitin 2017 buxheti i përgjithshëm qeveritar ishte mbi 2 miliardë euro. Ndërkaq dhe për vitin 2018 parashihet që buxheti të jetë 2 miliardë e 82 milionë euro.

Këtë e bëri të ditur ministri i Financave Bedri Hamza, në emisionin “Argument Plus” të RTV21.

Hamza tregoi se pjesën më të madhe të buxhetit e zënë investimet kapitale që janë planifikuar të jenë 687 milionë euro apo 33 për qind të totalit të buxhetit të Kosovës, shkruan rtv21.tv

Ndërkaq, sipas ministrit, rritja ekonomike për vitin 2018 pritet të jetë 4.6 për qind.

Në periudhën e ardhshme afatmesme vlerësojmë se ky trend pozitiv të vazhdojë. Kemi përgatitur një buxhet të qëndrueshëm i cili është në funksion të zhvillimit ekonomik, mirëpo i adreson edhe çështje sociale”, shtoi Hamza./21Media