Fsk e gatshme për operacione që garantojnë paqe e stabilitet

Fsk e gatshme për operacione që garantojnë paqe e stabilitet

Rreshtave të Ushtrisë së Kosovës iu bashkuan sot edhe 337 ushtarë, të cilët kanë përfunduar me sukses trajnimin bazik në qendrën e stërvitjeve bazë në Komandën e Doktrinës dhe Stërvitjes.

Me këtë rast komandanti i Forcës së Sigurisë se Kosovës, gjenerallejtnant Rrahman Rama tha se Forca është e përkushtuar për paqe e siguri në rajon. “Jemi të përkushtuar për paqe siguri e stabilitet me të gjithë. FSK mund të ndihmojë paqen e sigurisë kudo në botë përkrah ushtarëve të NATO-s”, tha Rama.

Ai shtoi se sot FSK po e përmbyll një vit të suksesshëm sa i përket procesit të tranzicionit. “Ne po punojmë ngushtë me partnerët tanë strategjik që Forca të jetë e trajnuar sipas standardeve të NATO-s dhe e gatshme për operacione që garantojnë paqe e stabilitet në rajon dhe me gjerë”, tha gjeneral Rama.

Ndërsa, kryeministri në largim, Ramush Haradinaj, duke uruar ushtarët e rinj tha se ata gjithmonë me nder do të jenë në shërbim të paqes, për të sotmen dhe të ardhmen e sigurt.

Kosova ka ushtrinë më të re sipas modelit të NATO-s, të përkushtuar për sigurinë në vend, stabilitetin në rajon dhe të gatshme për operacione paqeruajtëse kudo në botë, kurdo që kërkohet nga aleatët tanë strategjik, ShBA dhe strukturat e paktit Veri-Atlantik.”, u shpreh Haradinaj. /21Media