Gjykata shfajëson Pal Lekajn

Para dorëzimit të lisave për kandidatë vjen vendimi i gjykatës 

Gjykata Themelore e Gjakovës ka pushuar procedurën penale ndaj të pandehurve Pal Lekaj, Qazim Mehmeti dhe Nikollë Lleshi të cilët akuzoheshin se në bashkëkryerje kishin keqpërdorë detyrën zyrtare.

Gjykata e ka pushuar procedurën e të akuzuarve në shqyrtimin e dytë fillestar, duke e hedhur poshtë aktakuzën pa u lëshuar në shqyrtimin e provave.

Shfajësimi nga gjykata është bërë më 15 maj, pak ditë para se subjektet politike t’i dorëzojnë listat e kandidatëve për deputetë në Komisionin Qendror të Zgjedhjeve për zgjedhjet parlamentare të 11 qershorit.

Në aktvendimin e veçantë të Gjykatës në Gjakovë  thuhet se hedhja e akuzës është bërë në mungesë të provave.

“Hudhet aktakuza Prokurorisë Speciale e Republikës së Kosovës … dhe pushohet procedura penale ndaj të pandehurve Pal Lekaj, Qazim Mehmet dhe Nikollë Lleshi në mungesë të provave”, thuhet në aktvendim të siguruar nga kallxo.com.

Lekaj, Mehmeti dhe Lleshi akuzohen se gjatë muajit mars të vitit 2012 në bashkëkryerje kanë tejkaluar kompetencat me qëllim që të përfitojnë çfarëdo dobie pasurore duke i shkaktuar dëme Komunës së Gjakovës dhe banorëve të fshatit Jahoc, në një projekt të asfaltimit të një rruge gjatë kohës sa Lekaj ishte kryetar i komunës së Gjakovës.

Back to top button