Mustafa nga Brukseli: Qytetarëve t’iu sigurojmë liberalizimin e vizave

Kryeministri në largim Isa Mustafa është takuar me përfaqësuesen e lartë e BE-së, Federica Mogherini

Kryeministri në largim i Republikës së Kosovës, Isa Mustafa, është pritur në takim nga përfaqësuesja e lartë e BE-së për punë të jashtme dhe politika të sigurisë, zëvendëspresidente e KE-së, Federica Mogherini ku me të ka biseduar për bashkëpunimin e Kosovës me BE dhe për agjenden politike të Kosovës.

 

“Pata një takim me përfaqësuesen e lartë, zonjën Mogherini. Biseduam për bashkëpunimin e deritanishëm por edhe për çështjet të cilat i presin edhe Kosovën edhe për bashkëpunim me Bashkimin Evropian. Shpreha përkushtimin e Kosovës për perspektivën evropiane dhe se ne, pa marrë parasysh se kemi hyrë në procesin e zgjedhjeve, do të ndjekim rrugën që na qon në perspektivë evropiane. Mbesim të përkushtuar për bashkëpunimin regjional dhe për avancimin e raporteve tona me vendet e Ballkanit Perëndimor”, ka thënë Mustafa.

Më tej Mustafa ka theksuar se në takim me Mogherinin ka biseduar edhe për nevojën e vazhdimësisë së disa proceseve si, demarkacionit, asociacionit dhe për dialogun me Serbinë.

“Me këtë rast unë ndava qëndrimin që e përfaqësoj tani në krye të LDK-së, se ne do të mbesim të përkushtuar në këto procese dhe se kandidati ynë për kryeministër, po ashtu, mbetet i përkushtuar që këto procese t’i qoj përpara me Bashkimin Evropian. Vlerësojmë se nuk kemi rrugë tjetër, duhet që qytetarëve t’iu sigurojmë liberalizimin e vizave edhe po ashtu duhet t’i implementojmë marrëveshjet që i kemi arritur”, ka thënë Mustafa.

Ndryshe, Mustafa, me ftesë të Përfaqësueses së Lartë të BE-së për Punë të Jashtme dhe Siguri, Federica Mogherini, do të marrë pjesë në darkën që shtrohet sot për liderët e Ballkanit Perëndimor në Bruksel, ku do të diskutohet për gjendjen aktuale, perspektiven si dhe avancimin e rrugës eurointegruese të vendeve të Ballkanit Perëndimor./21Media

Back to top button